Buxheti i komunave në duar të përmbaruesve

20:59 | 21 Maj 2026
R J

Në vend se të shkojnë për zhvillim, qindra miliona euro të buxheteve komunale po shpenzohen për shlyerje të detyrimeve ligjore. Të dhënat e Institutit GAP tregojnë se mbi 126 milionë euro janë shpenzuar në vitin 2025 për të shlyer obligimet gjyqësore që vijnë nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi.

Paratë që do të mund të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve, po shpenzohen për shlyerje të detyrimeve ligjore që kanë komunat.

Pra, në vend se të ndërtoheshin rrugë , çerdhe të reja e të përmirësohen shërbimet shëndetësore, buxheti i paraparë për këto, u shpenzua nga komunat për të paguar obligimet gjyqësore dhe përmbarimore.

Vetëm vitin e kaluar, plot 126.6 milionë euro u paguan për përmbarues e vendime gjyqësore nga komunat.

ë dhënat e Instituti GAP tregojnë se këto para janë shpenzuar për të shlyer obligimet gjyqësore që vijnë nga kontratat kolektive në arsim dhe shëndetësi, obligimet nga vendimi qeveritar i 2008-tës për pagesë shtesë bazuar në kualifikim, kompensimet për shujta e transport. Shto këtu edhe vonesat në pagesa ndaj furnitorëve.

“Shumica e tyre kanë të bëjnë me kontrata kolektive dhe në këtë rast komunave padrejtësisht janë duke iu marrë këto mjete financiare sepse kontratat kolektive nuk janë nënshkruar nga komunat dhe sindikatat përkatëse, po këto kontrata i kanë nënshkruar niveli qendror me sindikatat përkatëse. Prej vitit 2022 deri e deri më tani komunave iu kanë marrë mbi rreth 350 milionë euro. Nga këto 350 milionë euro, përveç përfituesve direkt që janë mësimdhënësit edhe kategori të tjera, domethënë, të parapara nga kontratat kolektive edhe për shëndetësi, përmbaruesit, avokatët dhe proceset në gjyqësore që kanë marrë, shuma totale është mbi 93 milionë euro”, tha Sazan Ibrahimi, kryetar i Asociacionit të Komunave.

Për t’i paguar këto gjoba e detyrime ligjore, komunat po i marrin paratë nga projektet kapitale.

Vetëm në Komunën e Prishtinës janë rritur për mbi 300% pagesat për vendime gjyqësore dhe përmbarimore në 2025-tën.

“Kur ta bllokon krejt buxhetin ti nuk e ke në dorë kontrollin e buxhetit, prandaj ke edhe përmbaruesit që i marrin fondet në mënyrë të pakontrolluar. Pra, bllokada e cila i është bërë kryeqytetit nga niveli qendror edhe ka shkaktuar këtë problem që e kemi pasur edhe tash duhet me u marrë me të edhe këtë vit “, tha  Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

Pas Prishtinës, komunat me rritjen më të madhe të pagesave janë: Leposaviqi, Mamusha, Ferizaj dhe Prizreni.

Shpërndaje në rrjete sociale