Raporti policor për incidentin me eskortën e Kurtit në Skenderaj

19:50 | 21 Maj 2026
E.G

Një ditë pas padisë për ‘shpifje’ që kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ushtruar ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me deklaratat e këtij të fundit se eskorta e tij u rrezikua nga Lushtaku, në dalje të Skenderajt, pas një tubimi elektoral, RTK ka arritur të sigurojë raportin zyrtar të Policisë së Kosovës lidhur me incidentin e ndodhur më 27 janar 2025.

Sipas dokumentit që posedon RTK, rasti është iniciuar më 27.01.2025 rreth orës 19:15, kur Stacioni Policor në Skenderaj u njoftua nga Njësia Policore e Mbrojtjes së Afërt lidhur me këtë incident. Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 18:37, menjëherë pas përfundimit të një tubimi elektoral të kryeministrit Kurti në Skenderaj, gjatë rrugës në drejtim të fshatit Polac, teksa për rastin ishte njoftuar përmes telefonit edhe prokurorja e shtetit në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Ajtene Zoni.

Në raportin fillestar, zyrtari policor i mbrojtjes së afërt, rreshteri Gëzim Millaku, kishte deklaruar përmes telefonit se një veturë kishte rrezikuar eskortën e kryeministrit Kurti në dalje të Skenderajt, duke tentuar të hyjë në mes të eskortës.

“Kemi kontaktuar me telefon në numrin 044 ****** me Rr. Gëzim Millaku, zyrtar policor i Mbrojtjes së Afërt, i cili përmes telefonit tha se vetura ka dalë nga parkingu i pompës së derivateve ‘*** Petrol’ në dalje të Skenderajt, drejtimi për Polac, dhe e ka rreziku eskortën, duke tentuar të hyjë në mes të eskortës, dhe ashtu për një distancë ka vazhduar paralel me veturën policore të trafikut, rruga me dy korsi. Nga rr. Gëzim Millaku është kërkuar që nga ana e tyre të përpilohet raport policor lidhur me rastin. Prokurorja e Shtetit është njoftuar me informatën fillestare. Pastaj i kemi shikuar kamerat e qytetit, dhe nga video incizimet shihet se rreth orës 18:37 nga ‘***Petroli’ del një makinë, që besohet të jetë vetura që ka rrezikuar, dhe sapo kalon vetura e policisë që i prin eskortës me rrotativë ndezur, vetura e dyshuar kyçet në rrugë në momentin kur vjen vetura e dytë e eskortës dhe ashtu paralel me të vazhdon në drejtim të Polacit”, thuhet në raportin policor.

Megjithatë, një ditë më pas, më 28 janar 2025, në orën 11:11, rreshteri Gëzim Millaku dërgoi raportin zyrtar të shkruar përmes email-it, ku e paraqiti një version tjetër nga deklarata e dhënë një ditë më herët me telefon prokurores nga momenti i ngjarjes. Arsyet pse deklarata e shkruar e rreshterit në fjalë ndryshoi nga deklarimi fillestar në telefon nuk janë sqaruar, teksa nga raporti nuk evidentohet ndonjë veprim i mëtejmë i prokurores lidhur me këtë ndryshim të deklararës.

“Vetura e dyshuar përveçse ka bërë kyçje të vrullshme nuk e ka rrezikuar eskortën dhe nuk ka pas rrezik të drejtpërdrejtë, mirëpo kërkesa e tyre për ta ndal veturën e dyshuar për verifikim është në përputhje me standardet e larta të sigurisë që aplikohen në raste të tilla. Është marrë në pyetje si dëshmitar z. Sami Lushtaku i cili ka deklaruar se është nisur për në Prishtinë dhe është ndalë në marketin e pompës ‘*** Petrol’ të marrë ujë dhe kur është kyç në rrugë është kyç me kujdes të shtuar dhe me shpejtësi të ngadaltë pa e penguar askënd në trafik, në fakt kjo përputhet edhe nga pamja e video incizimeve, duke shtuar se nuk ka pas kurrfarë qëllimi ta pengojë policinë”, thuhet në raportin policor.

Tutje në raport theksohet se pas analizimit të videoincizimeve, raportit policor dhe duke e pasur parasysh faktin se qarkullimi i trafikut në atë pjesë mund të zhvillohet në dy shirita qarkullues, por edhe deklaratës së Sami Lushtaku, vihet në përfundim se ky i fundit me veprimet tij të kyçjes në rrugë me veturën 02Z-66-21 nuk ka kryer rrezikim të trafikut publik.

“Prandaj, në konsultim me prokurorin në këtë rast nuk kemi elemente të ndonjë vepre penale apo kundërvajtje kundër sigurisë së trafikut publik dhe rasti mbetet me shënim zyrtar për informim në Operativën e Stacionit Policor në Skenderaj”, thuhet në fund të raportit policor.

Sipas informacioneve që zotëron RTK, Prokuroria nuk ka marrë në pyetje pjesëtarët e tjerë të mbrojtjes së afërt të kryeministrit lidhur me këtë rast. E deri në këtë moment kur po publikohet ky artikull as nuk është iniciuar rast në Inspektoratin Policor të Kosovës për këtë ndërrim të deklaratës.

RTK ka kontaktuar të gjitha palët dhe është në përgatitje të kronikës në TV.

Shpërndaje në rrjete sociale