Procesi, i cili po zhvillohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), synon identifikimin, analizimin dhe adresimin e rreziqeve potenciale të korrupsionit përmes një qasjeje të strukturuar dhe mekanizmave konkretë të parandalimit.
Në fjalën e tij hyrëse, Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), z. Yll Buleshkaj, theksoi se metodologjia e hartuar për këtë proces krijon një bazë të rëndësishme për identifikimin sistematik të rreziqeve të korrupsionit, duke ndihmuar institucionet në forcimin e integritetit, transparencës dhe mekanizmave të kontrollit në prokurimin publik.
Drejtori Buleshkaj falënderoi partnerët ndërkombëtarë, donatorët dhe institucionet pjesëmarrëse për bashkëpunimin dhe mbështetjen në zhvillimin e këtij procesi, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional në parandalimin e korrupsionit.
Përfaqësuesi Rezident i UNDP-së në Kosovë, z. Nuno Queirós, vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e ndërtimit të mekanizmave efektivë për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit.
Shefja e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Ambasadën e Zvicrës, znj. Beate Elsaesser, theksoi mbështetjen afatgjatë të vendit të saj për përpjekjet kundër korrupsionit në Kosovë, duke vlerësuar rolin udhëheqës të APK-së dhe përkushtimin institucional në këtë proces.
“Suksesi i partneritetit tonë varet shumë nga lidershipi lokal. Ambicia jonë është që gradualisht, të evoluojmë nga donator në partner strategjik. Prandaj, është kënaqësi të shohim Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit duke marrë lidershipin, si dhe të gjitha agjencitë e rëndësishme të përfaqësuara këtu sot”, tha ajo.
Në kuadër të aktivitetit, përfaqësuesi i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), z. Avni Sahiti, tha se ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe pritet të ndikojë drejt avancimit të integritetit dhe përmirësimit të praktikave në prokurimin publik.
Gjatë aktivitetit u prezantua edhe metodologjia për Vlerësimin e Rrezikut të Korrupsionit nga z. Blerim Kelmendi nga APK dhe ekspertët e angazhuar nga UNDP, ku u shpalosën qasja metodologjike, instrumentet dhe fazat e procesit që do të zbatohen në kuadër të kësaj nisme.
Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse mirëpritën lansimin e këtij procesi dhe shprehën gatishmërinë për angazhim e bashkëpunim të mëtejmë në funksion të forcimit të procesit për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit. Ata bën prezantime mbi zhvillimet kryesore në institucionet e tyre gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026 në fushën e prokurimit publik dhe integritetit institucional.