Dënohet me 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë i akuzuari për përdhosje të flamurit të Turqisë

12:17 | 21 Maj 2026
E.H

Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 4 mijë euro gjobë Dijamant Zeqirin lidhur me akuzën për nxitjes të përçarjes dhe mosdurimit, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Zeqiri akuzohej se gjatë organizimit të një iftari në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, ishte afruar në vendngjarje dhe me një mjet të mprehtë kishte shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, i cili tha se për veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, Zeqiri dënohet me 1 vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda periudhës prej 2 vitesh nuk kryen vepë tjetër penale. Kurse, për armëmbajtje pa leje, u dënua me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Gjithashtu, gjykatësi njoftoi se të akuzuarit Zeqiri, do t’i kthehet edhe shuma prej 5 mijë euro e dhënë në emër të dorëzanisë, pas që aktgjykimi të bëhet i plotëfuqishëm.

I akuzuari Zeqiri obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 200 euro dhe 100 euro në emër të Fondit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Paraprakisht, prokurori i rastit Bekim Kodraliu, tha se kanë arritur marrëveshje për pranimin e fjaësisë me të akuzuarin Zeqiri, qysh në fazën fillestare të hetimeve dhe pas një bashkëpunimi të të akuzuarit me organet e drejtësisë.

Po ashtu, ai tha se marrëveshja është arritur ne mënyrë të ligjshme dhe vullnetarisht, duke shtuar se në kuadër të marrëveshjes ka rekomanduar që Gjykata të shqiptojë dënim unik për dy veprat penale sipas kushteve të dakorduara ndërmjet palëve.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Zeqiri, avokati Avdi Ademi tha se marrëveshja është lidhur me vullnet të plotë të të mbrojturit të tij dhe në konsultim të mjaftueshëm më të sa i përket pasojave dhe benifiteve, andaj kërkoi nga Gjykata që kjo marrëveshje të aprovohet.
Gjithashtu, ai kërkoi që mjetet e dorëzuara në emër të dorëzanisë të lirohen dhe të kthehen në llogarinë bankare të të mbrojturit të tij, si dhe sendet e sekuestruara.

Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri, aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë pasi që janë plotësuar të gjitha kushtet për pranimin e fajësisë dhe më pas shpalli aktgjykimin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të ngritur më 24 prill 2026, Dijamant Zeqiri akuzohet se më 5 mars 2026, rreth orës 02:00 në sheshin “Adem Jashari” në Mitrovicë, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës, publiksht ka ndërmarrë veprime konkrete të cilat kanë nxitur prishjen e rendit publik.

Aktakuza thotë që gjatë aktivitetit publik të organizuar nga një organizatë e quajtur “Eyup Sultan”, me rastin e iftarit për besimtarët myslimanë gjatë muajit të Ramazanit, Zeqiri për shkak të bindjeve të tij fetare, është afruar në vendin e ngjarjes dhe duke përdorur një mjet të mprehtë ka shqyer dhe përdhosur flamurin kombëtar të Republikës së Turqisë, duke shprehur publiksht fyerje dhe urrejtje ndaj këtij simboli, me të cilat veprime ka nxitur urrejtje dhe mosdurim mes grupeve kombëtare, etnike dhe fetare që jetojnë në Republikën e Kosovës, çka ka kontribuar në prishjen e rendit dhe sigurisë publike në Kosovë.

Me këtë, Zeqiri akuzohej se ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, nga neni 141, par.3 të Kodit Penal.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga data e pacaktuar e deri më 12 mars 2026, Dijamant Zeqiri në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe pa autorizim përkatës, ka poseduar armë dhe muncion, në atë mënyrë që gjatë bastisjes së banesës ku kishte qenë duke bazuar në Mitrovicën e Jugut, nga Policia e Kosovës, i janë gjetur dhe sekuestruar një kuti me fishekë, si dhe një karikator, ndërsa gjatë bastisjes së shtëpisë së vëllait të tij në Skenderaj, i është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, të cilat Zeqiri i kishte në posedim paautorizim përkatës dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Shpërndaje në rrjete sociale