Aeroporti i Vlorës/Avokati i “Mabco” zbardh prapaskenat e konfliktit: Ky është një test për shtetin ligjor në Shqipëri

18:11 | 20 Maj 2026
E.G

Punimet për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës janë bllokuar si pasojë e një konflikti mes dy ortakëve kryesorë të shoqërisë, i cili ka përshkallëzuar deri në ndalimin e hyrjes së punonjësve në kantier.

Përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Mabco”, që zotëron 98% të aksioneve, avokati Ilir Gërdupi, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ka shpjeguar se si një mosmarrëveshje tregtare po kthehet në një “test për shtetin ligjor në Shqipëri”.

Sipas avokatit Gërdupi, konflikti zë fill te një masë sigurie e vendosur nga Gjykata e Tiranës për të drejtën e votës. Duke shfrytëzuar këtë situatë, ortaku minoritar “2A Group”, që zotëron vetëm 2% të kuotave, ka emëruar në mënyrë të njëanshme një administrator të ri.

Ky emërim, sipas palës paditëse, është i paligjshëm, pasi është bërë në një asamble ku merrnin pjesë vetëm 2% e kuotave, ndërkohë që ligji kërkon një kuorum prej të paktën 30%.

Administruesi i ri ka ndërmarrë veprime që kanë çuar në bllokimin e punimeve. Bazuar në një kontratë që “Mabco” nuk e njeh si të vlefshme, administratori ka pretenduar zgjidhjen e saj dhe për pasojë, heqjen e të drejtës së “Mabco”-s për të hyrë në kantier.

Si rezultat, kalimi i punonjësve dhe nënkontraktorëve është bllokuar në mënyrë të njëanshme, pa një vendim gjykate apo të ndonjë organi tjetër ligjzbatues.

Avokati Gërdupi thekson se “Mabco” është nënshkruese e drejtpërdrejtë e kontratës koncensionare me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo kontratë, e cila është akti bazë që rregullon marrëdhëniet mes palëve, garanton aksesin e lirë të investitorëve në kantier.

“Mabco nuk është kontraktor, por investitor. Të gjithë investitorët pjesëmarrës në kontratën koncensionare nuk mund të pengohen në hyrjen e tyre në kantier,”shpjegoi ai.

Sipas përfaqësuesit ligjor, situata aktuale nuk është thjesht një grindje mes ortakëve.