Pacolli: Aeroportin — le ta marrin, unë nuk dua të luftoj me shtetin

16:12 | 20 Maj 2026
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas zhvillimeve në Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se nuk dëshiron “të luftojë me shtetin”, por duke e konsideruar ndërhyrjen ndaj kompanisë MABCO si joligjore dhe të papranueshme për një shtet ligjor.

Në një status të publikuar nga Astana, Pacolli tha se një gazetar nga Shqipëria e kishte pyetur se çfarë do të bëjë tani “pasi aeroportin jua morën me Policinë e Shtetit”, shkruan Arbresh.info.

“Objektet të cilat MIE, më 24 gusht, i kishte ndarë nga tërësia e projektit dhe i kishte përcaktuar për t’u përfunduar nga MABCO, janë faktikisht të përfunduara. Që nga marsi i këtij viti, në pritje të përmbushjes së detyrimeve nga VIA, ne kemi pastruar objektet, kemi kryer punimet përfundimtare dhe kemi rregulluar edhe gjelbërimin përreth”, deklaroi ai.

Pacolli tha se aeroporti është ndërtuar vetëm me fondet e tij financiare dhe se në projekt janë investuar mbi 310 milionë euro.

“Aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me mjetet e mia financiare. Janë mbi 310 milionë euro të investuara dhe të angazhuara në formë garancish. Vetëm Valon Ademi, si punëkryes, ka marrë mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s”, u shpreh Pacolli.

Ai shtoi se nuk dëshiron përballje me shtetin, por kritikoi mënyrën se si, sipas tij, po përdoret pushteti institucional.

“Aeroportin — le ta marrin! Unë nuk dua të luftoj me shtetin. Shteti e ka fuqinë e vet dhe mund ta përdorë si të dojë. Por mënyra se si po përdoret kjo fuqi është joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor. Çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur, koha do ta tregojë. Pa merak”, tha ai.

Në reagimin e tij, Pacolli foli edhe për punëtorët dhe nënkontraktorët e angazhuar në projekt, duke garantuar se të gjitha detyrimet financiare do të shlyhen.

“Iu përgjigja se ata janë paguar dhe çdo detyrim i mbetur do të paguhet deri në centin e fundit. Sa u përket punëtorëve dhe ekspertëve tanë, ne do të përpiqemi t’i angazhojmë në projekte të tjera jashtë vendit. Ata për ne kanë vlerë dhe nuk do të lihen pas dore”, deklaroi ai.

Sipas Pacollit, problemi më i madh mbetet ai moral dhe njerëzor, pasi pretendon se ndërhyrja e policisë ka cenuar dinjitetin e punëtorëve.

“Por për këta njerëz, përveç anës financiare, ekziston edhe një problem shumë më i madh: ai njerëzor dhe moral. Këta njerëz janë prekur në dinjitetin e tyre nga ndërhyrja e policisë. Në kantier u kanë mbetur instrumentet e punës, pajisjet, sendet personale, kasafortat, materialet personale, materialet e punës në magazina dhe shumëçka tjetër”, shkroi ai.

“Më e rënda është se është cenuar dinjiteti njerëzor i njerëzve të punës — i atyre që në këtë projekt kanë dhënë mundin, djersën, profesionalizmin dhe një pjesë të jetës së tyre”, shtoi Pacolli.

Në fund, ai deklaroi se dëmi ndaj besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë për investitorët është i vështirë të riparohet.

“Pikërisht këtu qëndron padrejtësia më e madhe. Çështjet materiale të MABCO-s, herët a vonë, do të rregullohen me ligj. Por dëmi që i bëhet dinjitetit të njeriut, besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë para investitorëve nuk riparohet lehtë.

Unë, për aq sa është e mundur, do të vazhdoj të mbroj interesin e kombit, interesin e punëtorëve dhe parimin se shteti duhet të jetë garant i ligjit — jo instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë”, përfundoi Pacolli./Arbresh.info