Rama në Korenë e Jugut: Shqipëria në një rrugë të vështirë, por drejt BE-së

14:37 | 20 Maj 2026
E.K

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Konferencën Aziatike të Lidershipit në Korenë e Jugut, u shpreh se Koreja është një dëshmi e qartë se historia dhe kultura kanë rëndësi për zhvillimin dhe ripërtëritjen e një vendi.

“Koreja është dëshmi se historia ka rëndësi. I njëjti popull, e njëjta kulturë. Një Kore u shndërrua në simbol të ripërtëritjes përmes hapjes së demokracisë së qëndrueshme dhe inovacionit, ndërsa tjetra u kthye në emblemë të ferrit përmes sundimit të forcës dhe frikës”, tha Rama.

Ai bëri një paralelizëm me historinë e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ynë, gjatë një kapitulli të dhimbshëm, ka kaluar sfida të mëdha, por sot ndodhet në një rrugë të qëndrueshme drejt Bashkimit Europian.

“Përgjatë një kapitullit të dhimbshëm të historisë së saj, Shqipëria ishte Koreja e veriut të Evropës e megjithatë ajo sot po ecën në rrugën jo të lehtë por thelbësisht ndryshe.

Një rrugë ndërtimi institucionesh, modernizimi demokratik një rrugë drejt BE-së. Në rrugën tonë ne po tregojmë se institucionet demokratike mund të ndërtohen dhe kur historia thotë se është e pamundur. Një nga arsyet e vizitës sime në Seul është kjo. Kjo vizitë në Seul ka për qëllim të mësojmë nga shembulli i Koresë dhe të kujtojmë se lidershipi më i mirë kërkon guxim për të hyrë në arenë dhe imagjinatë për të ndërtuar ura”, theksoi ai.