Hamza optimist: Më 8 qershor PDK-ja do të udhëheqë qeverinë e re, Kurti shkon në opozitë

09:44 | 20 Maj 2026
E.K

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, është shprehur i bindur se zgjedhjet e 7 qershorit do të sjellin një rezultat të mirë për këtë parti.

Ai është shprehur optimist edhe për krijimin e institucioneve të reja.

Në ”Click” të RTV21, Hama ka bërë me dije se më 8 qershor PDK-ja do të udhëheq qeverinë e re, e cila do të formohet nga partitë e opozitës.

“Më 8 qershor ekziston mundësia që PDK të udhëheqë qeverinë e ardhshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Albin Kurti pas 7 qershorit do të shkojë në opozitë.

Kreu i PDK-së ka treguar pse Kurti më nuk do të mund të marrë rezultatin e zgjedhjeve të dhjetorit.

“Gjuha polarizuese, ndarja e shoqërisë në errësirë dhe dritë nuk po i kontribuon vendit. Gara politike është garë dhe përfundon. Mendoj që duhet me lënë derë të hapur, secili garon me fitu. Nuk dua me pa fushatë me sharje, fyerje e ofendime, dua fushatë me projekte dhe ekipe. Jam i bindur se Kurti e din mirë që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë rezultat tjetër”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka vlerësuar se besimin e qytetarëve në këto zgjedhje PDK-ja do të fitojë me ofertën e saj.

I pari i PDK-së ka theksuar se programi i PDK-së është më i miri në zgjedhjet e 7 qershorit, duke treguar se ka risi nga programi që është prezantuar në zgjedhjet e dhjetorit.

“Nuk kanë ndryshuar shumë gjëra, por kemi edhe rifreskim të programit. Baza është ajo që ka qenë, me plotësime të reja… Unë nuk them që gjendja në sektorin e energjisë nuk është mirë, por duhet me ndryshu. Nuk i përjashtoj kapacitetet e mundshme, përfshirë edhe gazin”, ka thënë Hamza.

Në këtë intervistë, Hamza ka folur edhe për raportet me liderin e Nismës, Fatmir Limaj.

Ai ka vlerësuar se janë bashkë me liderin e Nismës dhe se pret mbështetjen e tij në zgjedhjet e 7 qershorit.

Numri një i PDK-së është shprehur i bindur në mbështetjen e Limajt për këto zgjedhje.

“As kemi humb ne, as Fatmir Limaj. Fatmirin e kam mik për së vërteti dhe më vjen mirë që kushdo që nuk e ka mik si unë, Njiheni me shumë se 23-24 vite dhe nuk kemi pasur asnjëherë luhatje në raportet personale. Jam i bindur se jemi bashkë me Limajn dhe pres që ai ta japë mbështetjen e vet. Është në të drejtën e tij”, është shprehur Hamza.

Sipas tij, Limaj duhet t`i futet garës së brendshme zgjedhore në PDK.

“Në procesin e ardhshëm zgjedhor brenda PDK-së, që do të mbahet menjëherë pas zgjedhjeve, Fatmir Limaj është i mirëpritur në radhët e PDK-së, në një proces të brendshëm zgjedhor për të gjitha nivelet – Kuvendin e partisë, Këshillin dhe Kryesinë. Besoj që bashkë do të jemi më të fuqishëm”, ka deklaruar Hamza.