Pas një sezoni tjetër pa trofe, Real Madrid po përgatit një revolucion të madh në skuadër. Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, deri në dhjetë futbollistë të ekipit të parë mund të largohen gjatë verës, në kuadër të një “pastrimi total” që synon ta rikthejë klubin në majat e futbollit evropian.
Të gjitha lëvizjet pritet të bëhen me miratimin e trajnerit të ri, ndërsa favorit kryesor për stolin mbetet portugezi José Mourinho.
Njëri nga emrat e parë që pritet të largohet është portieri ukrainas Andriy Lunin. Edhe pse ai ka treguar paraqitje shumë të mira sa herë që ka marrë minuta, drejtuesit e klubit duan t’i japin hapësirë talentit të ri Javi Navarro, heroit të triumfit në Youth League.
Në repartin defensiv, largimi i dy futbollistëve konsiderohet i sigurt, pasi kontratat e tyre përfundojnë këtë verë. Bëhet fjalë për Dani Carvajal dhe David Alaba. Ndërkohë, Antonio Rüdiger do të qëndrojë te madrilenët pasi ka rinovuar kontratën edhe për një vit.
Klubi po mendon gjithashtu të largojë njërin nga mbrojtësit e majtë. Më afër daljes duket Fran García, sidomos pas ardhjes së Álvaro Carreras si një nga përforcimet më të mëdha të verës së kaluar. Sa i përket Ferland Mendy, situata është më e komplikuar për shkak të dëmtimit të rëndë dhe operacionit të fundit. Nuk përjashtohet mundësia e ndërprerjes së kontratës me marrëveshje mes palëve.
Edhe mesfusha pritet të pësojë ndryshime të mëdha. Dani Ceballos është një nga lojtarët që mund të largohet, pavarësisht se ka edhe një vit kontratë. Në listën e të larguarve potencialë janë edhe Eduardo Camavinga dhe Federico Valverde.
Forma e dobët e francezit dhe incidenti i fundit i uruguaianit me Aurélien Tchouaméni kanë shtuar dyshimet për të ardhmen e tyre. Megjithatë, klubi beson se mund të përfitojë shuma të mëdha nga shitja e tyre.
Në sulm, në pikëpyetje është edhe e ardhmja e talentit Gonzalo. Pas shpërthimit të tij në Kupën e Botës për Klube, ai nuk arriti të kishte vazhdimësinë e pritur gjatë sezonit. Me Xabi Alonso kishte më shumë hapësira, por nën drejtimin e Arbeloas roli i tij ka qenë shumë i kufizuar.
Një nga çështjet më të nxehta mbetet ajo e Vinícius Júnior. Braziliani ka kontratë deri më 30 qershor 2027 dhe ende nuk ka asnjë sinjal për rinovim. Nëse nuk arrihet marrëveshje për kontratë të re, drejtuesit e klubit mund të detyrohen ta shesin që këtë verë, për të shmangur largimin e tij falas në fund të sezonit të ardhshëm.
Merkato e verës në kampin madrilen do të jetë më e nxehta ndonjëherë sidomos pas dy sezoneve dështim. Gjithashtu klubi pritet të afrojë lojtar të rinj me aprovimin e trajnerit të ardhshëm, Jose Mourinho./Arbresh.info
Shtrenjtohen kurbanet në Prizren – deri në 600 euro dashi i ...
Kupa e Botës 2026 pritet të bëhet “biznesi” më i...
Gazeta gjermane: Kosova kërkon lidhje më të ngushta, BE-ja m...
Hargreaves pas takimit me Haradinajn: Pas zgjedhjeve partitë...
Rama: 35 vjet marrëdhënie diplomatike me Korenë e Jugut – fo...
Lituania mbyll aeroportin, lëshon paralajmërim për ‘rrezik a...