Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se presidenti kinez, Xi Jinping i ka dhënë një premtim të drejtpërdrejtë se Kina nuk do të dërgojë armë në Iran, në një zhvillim që ai e përshkroi si pozitiv për stabilitetin ndërkombëtar.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, në vijim të deklaratave të tij për situatën në Iran, Trump tha se gjatë kontakteve të fundit me liderin kinez ka marrë një garanci të qartë nga Pekini për këtë çështje.
Sipas tij, Xi Jinping është zotuar se Kina nuk do të furnizojë Iranin me armatim, një vendim që Trump e cilësoi si “një premtim të bukur”.
“Ky është një premtim i bukur”, u shpreh 79-vjeçari, duke shtuar se ai i beson fjalës së presidentit kinez dhe e ka vlerësuar këtë qëndrim.
Deklaratat e Trumpit vijnë në një moment tensionesh të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe debatit të gjerë ndërkombëtar mbi rolin e aktorëve globalë në furnizimin me armë dhe ndikimin në konfliktet rajonale.
Lideri amerikan gjithashtu kujtoi vizitën dyditore në Pekin javën e kaluar, ku tha se është arritur përparim në marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve. /Telegrafi/
