Zëvendëskryeministri në detyrë, Glauk Konjufca ka reaguar ndaj raportimeve që lidhën një deklaratë të tij me Vjosa Osmani, duke mohuar se diskutimi i tij kishte të bënte me presidenten dhe duke i cilësuar interpretimet si “luftë speciale”.
“Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent. Meqë po e vërej qartë se prapa këtij shtrembërimi të qëllimshëm ekzistojnë qindra mekanizma të riprodhimit me një qëllim vërtet të keq. E qëllimi është kontaminimi i skenës politike edhe në hapësirat e fundit”, ka shkruar Konjufca.
Ai ka sqaruar se gjatë një tubimi në Ferizaj është ndërprerë nga një person, i cili sipas tij përdori termin “frizere”.
“Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese”, ka deklaruar ai.
Konjufca ka theksuar se deklarata e tij nuk kishte lidhje me presidenten Osmani.
“Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë”, ka shtuar ai.
Në fund, ai ka kërkuar ndjesë për personat që mund të jenë ndier të prekur nga kjo situatë.
“Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë”, ka përfunduar Konjufca./Arbresh.info
LEXO EDHE:
Dua Lipa publikon fotografi me albumin që BimBimma ia dërgoi...
Kurti u kërkon mobilizim mbështetësve në Obiliq: Votat s’na ...
Çfarë u ndodh veshkave kur jeni të dehidratuar?
U nominua nga Trump si ambasador në Shqipëri, Eric Wendt rap...
Kurti: Njohja nga SHBA e AKK-së, dëshmi e ngritjes së standa...
Trump sërish rithekson: Xi Jinping më premtoi se Kina nuk do...