Gati dy milionë besimtarë myslimanë për pelegrinazhin në Mekë

09:44 | 18 Maj 2026
E.H

Mbi dy milionë myslimanë nga e gjithë bota pritet të marrin pjesë në pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Mekë të Arabisë Saudite, i cili këtë vit fillon më 25 maj, pas shikimit të hënës së re në Arabinë Saudite.

Haxhi konsiderohet tubimi më i madh vjetor i myslimanëve dhe është një nga pesë shtyllat themelore të Islamit. Për shumë besimtarë, ky është një udhëtim unik shpirtëror që realizohet vetëm një herë në jetë.

Çfarë është Haxhi?

Haxhi është pelegrinazhi vjetor në qytetin e shenjtë të Mekës dhe përbën shtyllën e pestë të Islamit, krahas dëshmisë së besimit, faljes së pesë kohëve të namazit, zekatit dhe agjërimit të Ramazanit.

Ky obligim fetar duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga çdo mysliman i rritur që ka mundësi fizike dhe financiare për ta realizuar, raporton Aljazeera.

Kur zhvillohet Haxhi?

Ritet e Haxhit kryhen nga data 8 deri më 12 ose 13 e muajit Dhul-Hixhe, muaji i fundit i kalendarit islamik.

Në vitin 2026, Haxhi do të mbahet nga 25 deri më 27 maj, megjithëse shumë pelegrinë mbërrijnë në Arabinë Saudite javë më herët për përgatitje.

Për shkak se kalendari islamik bazohet në ciklin hënor, datat e Haxhit ndryshojnë çdo vit në kalendarin gregorian, duke u zhvendosur rreth 10 deri në 12 ditë më herët.

Pse kryhet Haxhi?

Sipas besimit islam, Haxhi është urdhër hyjnor i përmendur në Kuran. Pelegrinazhi simbolizon përkushtimin ndaj Zotit, kërkimin e faljes, pastrimin shpirtëror dhe barazinë mes besimtarëve, pa dallim kombësie, statusi apo pasurie.

Ritet e Haxhit janë të bazuara në traditën e Profetit Muhamed gjatë “Haxhit të Lamtumirës” në vitin 632.

Si kryhet Haxhi?

Haxhi përfshin një seri ritualesh që zgjasin pesë ditë.

Dita e parë: Hyrja në ihram dhe tavafi

Pelegrinët hyjnë fillimisht në gjendjen e shenjtë të njohur si “ihram”. Burrat veshin dy copa të bardha, ndërsa gratë veshje modeste, duke simbolizuar barazinë dhe përulësinë para Zotit.

Më pas ata kryejnë “tavafin”, duke u rrotulluar shtatë herë rreth Qabes në xhaminë e Madhe në Mekë.

Pas tavafit, besimtarët kryejnë “sajin”, ecjen shtatë herë mes kodrave Safa dhe Merva, në kujtim të kërkimit të ujit nga Haxherja për djalin e saj Ismailin.

Në fund të ditës, pelegrinët vendosen në Mina, e njohur si “qyteti i tendave”.

Dita e dytë: Qëndrimi në Arafat

Një nga momentet më të rëndësishme të Haxhit është qëndrimi në fushën e Arafatit, ku pelegrinët luten dhe kërkojnë falje nga mesdita deri në perëndim të diellit.

Pas kësaj, ata udhëtojnë drejt Muzdelifes, ku falin namazin dhe mbledhin guralecë për ritualin e ditës tjetër.

Dita e tretë: Fillimi i Kurban Bajramit

Në këtë ditë shënohet edhe dita e parë e Kurban Bajramit.

Pelegrinët rikthehen në Mina dhe hedhin shtatë guralecë në shtyllën më të madhe, një ritual që simbolizon refuzimin e tundimeve të djallit.

Më pas kryhet therja e kurbanit në kujtim të gatishmërisë së Profetit Ibrahim për të sakrifikuar djalin e tij për hir të Zotit.

Burrat rruajnë ose shkurtojnë flokët, ndërsa gratë presin një pjesë të vogël të tyre, si simbol i ripërtëritjes shpirtërore.

Në fund, pelegrinët rikthehen në Mekë për tavafin kryesor rreth Qabes.

Ditët e fundit të Haxhit

Në ditët pasuese, pelegrinët vazhdojnë ritualin e gjuajtjes së guralecëve në tri shtyllat në Mina.

Para largimit nga Meka, ata kryejnë tavafin përfundimtar, i njohur si “Tavaf el-Veda”, që simbolizon lamtumirën shpirtërore me vendin e shenjtë.

Si festohet Kurban Bajrami?

Përfundimi i Haxhit shënohet me festën e Kurban Bajramit, e cila kremtohet më 10 të muajit Dhul-Hixhe dhe zgjat deri në tri ditë në shumë vende myslimane.

Besimtarët falin namazin e Bajramit, vizitojnë familjarët dhe miqtë, shkëmbejnë urime me fjalët “Bajrami Mubarek” dhe ndajnë mishin e kurbanit me familjen, të afërmit dhe personat në nevojë.

Shpërndaje në rrjete sociale