Shefi i grupit të PDK-së në Skënderaj iu bënë thirrje qytetarëve të mblidhen para stacionit policor e ta presin Sami Lushtakun

15:49 | 15 Maj 2026
E.K

Shefi i grupit të PDK-së në Kuvendin Komunal të Skenderajt, Alban Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve para Stacionit të Policisë në Skenderaj, ku po zhvillohet intervistimi i kryetarit të komunës, Sami Lushtaku.

Në një postim publik, Berisha ka ftuar qytetarët që të mblidhen “në gatishmëri qytetare” për ta pritur Lushtakun deri në përfundimin e intervistës, duke përcaktuar si vendtakim objektin e stacionit policor.

Ai ka kritikuar veprimet e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës gjatë incidentit të djeshëm, duke i cilësuar ato si të tepruara dhe me ndikim politik, duke pretenduar se kanë shkaktuar tension dhe frikë te qytetarët.

Postimi i plotë:

Të jemi në gatishmëri qytetare!

Brenda pak minutash pritet të zhvillohet intervista, prandaj ftoj sa më shumë qytetarë të mblidhemi për ta pritur Kryetarin Gjeneral Sami Lushtaku deri në përfundim të saj.

Vendtakimi: para Stacionit të Policisë.

Dje qytetarët panë me sytë e tyre keqpërdorimin e Njësisë Speciale, me maska e armë të gjata, në një mënyrë që krijoi tension dhe frikë te qytetarët. Këto veprime po e rikujtojnë kohën kur policia përdorej për presion politik e jo për drejtësi.

Mos të mendojë askush se mund të na frikësojë me skena force e demonstrim pushteti. Dinjiteti nuk shitet dhe nuk blihet! Fyerjet, shpifjet dhe propaganda nuk kalojnë.

Qëndroni të bashkuar dhe në gatishmëri qytetare!