Begaj pret Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli: Shqipëria, e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse

15:41 | 14 Maj 2026
E.G

Presidenti Bajram Begaj ka pritur në një takim Komandantin e Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, të cilin e përgëzoi për vizionin me të cilin po drejton Komandën në një situatë komplekse gjeopolitike. Sipas Presidentit, kjo Komandë me rol thelbësor për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

“Komanda e Forcës së Përbashkët dhe misioni i KFOR-it janë shtylla të forta për paqen dhe stabilitetin në rajon”, vlerësoi Begaj.

Presidenti theksoi rëndësinë që ka për Shqipërinë Partneriteti strategjik me SHBA -të.

“Ky partneritet strategjik është shumë i çmuar për Shqipërinë dhe ka qenë transformues për Forcat e Armatosura Shqiptare”, u shpreh Begaj, teksa vlerësoi prezencën amerikane dhe të NATO-s në rajon si të domosdoshme dhe garanci për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin.

Përballë situatës aktuale të sigurisë të rrezikuar nga vatrat e konfliktit në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, Presidenti i Republikës u shpreh se në këtë kohë duhet marrë më shumë përgjegjësi për të investuar, si për mbrojtjen kombëtare, edhe për atë kolektive.

“Në këtë drejtim Shqipëria është e angazhuar në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe modernizimit të Forcave të Armatosura si edhe për rritjen e kontributit në Aleancë”, tha Begaj.

Duke iu referuar nismave ndërshtetërore që lidhen me sigurinë dhe zhvillimin rajonal, Presidenti i Republikës shprehu falënderim për mbështetjen e SHBA-ve dhe Komandës së Forcave të Përbashkëta të Aleancës në Napoli për përfshirjen e Korridorit VIII në korridoret e reja të lëvizshmërisë.

“Korridori VIII ka një rëndësi strategjike për Shqipërinë, rajonin dhe NATO-n jo vetëm për sigurinë dhe fushën e mbrojtjes, por edhe për forcimin e marrëdhënieve të vendeve në rajon dhe është një investim në stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, vlerësoi Kreu i Shtetit.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së në KFOR për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe për të mbështetur stabilitetin më të gjerë rajonal në Ballkanin Perëndimor.

“Për Shqipërinë, prania e NATO-s, KFOR-it dhe prezencës amerikane në KFOR është me rëndësi strategjike dhe thelbësore për të ardhmen e të gjithë rajonit”, u shpreh Begaj.

Në fund të takimit, Presidenti siguroi Admiralin George M. Wikoff se Shqipëria do të vazhdojë të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit të fortë strategjik të SHBA-së, dhe ndaj NATO-s.

/rtsh.al/