Pr/rezoluta për integrimin, Hasani: Anëtarësimi në BE, objektiv strategjik kombëtar

11:42 | 14 Maj 2026
E.G

Kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, prezantoi sot në seancën plenare pr/rezolutën e miratuar në këtë Komision, e cila përcakton angazhimet e Kuvendit dhe Qeverisë për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Dokumenti e cilëson integrimin evropian si “objektiv strategjik kombëtar” dhe nënvizon domosdoshmërinë e reformave të thella demokratike, institucionale dhe ekonomike për të siguruar anëtarësimin e plotë në BE.

Duke lexuar tekstin e pr/rezolutës, Hasani thekson se Kuvendi angazhohet të forcojë rolin e tij në mbikëqyrjen e procesit të integrimit, të garantojë transparencën dhe cilësinë e legjislacionit, si dhe të intensifikojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE përbën objektiv strategjik kombëtar dhe udhëheq dhe orienton të gjithë agjendën transformuese të vendit, duke nënvizuar përgjegjësinë kushtetuese të Kuvendit për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, forcimin e kontrollit parlamentar dhe garantimit ët transparencës. Duke theksuar se orientimi europian me rëndësi strategjikë mbarëkombëtare që gëzon mbështetje të gjerë qytetare”, tha Hasani.

Po ashtu, dokumenti kërkon përshpejtimin e reformave në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e pluralizmit mediatik dhe mbrojtjes së gazetarëve.

“Kuvendi i Shqipërisë rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme”, tha Hasani.

Gjatë prezantimit, Hasani vuri në dukje edhe rëndësinë e bashkëpunimit politik.

“Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik”, theksoi ai.

/rtsh.al/