Kurti përuroi investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa shumë banesore të banimit social në Prizren

19:07 | 13 Maj 2026
Q L

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, përuruan investimet në efiçiencë të energjisë në tri ndërtesa shumë banesore të banimit social në Prizren.

Teksa foli për orientimin e qartë të Qeverisë për të qëndruar sa më pranë atyre që kanë më së shumti nevojë, kryeministri në detyrë Kurti theksoi se ky është një investim domethënës, me të cilin, krahas përmirësimit të hapësirave dhe kushteve të banimit, rriten cilësia e jetës dhe ndjenja e sigurisë, si dhe kujdesi e barazia.

“Investimi që po shohim sot, është pozitiv në shumë sfera. Është politikë sociale, sepse i ul faturat. Është politikë ekonomike, sepse kursen energji. Edhe është politikë mjedisore, sepse ul ndotjen. Dhe, është politikë e drejtësisë, sepse investon tek ata që shpesh kanë qenë të fundit në radhë”, tha ai.

Kryeministri në detyrë Kurti tha se vlera e përgjithshme e investimit është afër 460 mijë euro, ndërkaq falënderoi Bashkimin Evropian, Ministrinë e Ekonomisë, Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe Komunën e Prizrenit, për projektim, financim, zbatim dhe për bashkëpunim.