Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar listat me gjithsej 917 kandidatë për deputetë nga 23 subjekte politike, të cilat synojnë certifikimin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Afati për dorëzimin online të listave të kandidatëve është përmbyllur, ndërsa zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se listat janë pranuar gjatë periudhës 2 deri më 12 maj.
Sipas Elezit, nga 23 subjektet politike që kanë dorëzuar listat, 18 janë parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
“Gjatë periudhës 11-ditore, nga 2 deri më 12 maj, KQZ ka pranuar listat e kandidatëve për deputetë nga 23 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Katër parti politike që më herët kishin njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje nuk kanë dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë. Numri i përgjithshëm i kandidatëve që synojnë të certifikohen është 917. Prej tyre, 603 janë burra dhe 314 gra”, ka thënë Elezi.
Ndërkohë, analistët politikë vlerësojnë se shumica e partive politike nuk kanë sjellë ndryshime të mëdha në listat e kandidatëve për deputetë.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, përjashtim bën vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ndërsa subjektet e tjera kanë mbetur kryesisht me kandidatura të njëjta.
“Është e qartë që, përveç LDK-së, të gjitha partitë e tjera nuk e kanë marrë mundin t’i freskojnë në mënyrë cilësore listat e tyre, sepse shumica absolute janë kandidatura që kanë qenë edhe më herët dhe nuk mund të presim ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë ai.
Edhe analisti Sadik Zeqiri shprehet se prurjet e reja të partive politike nuk pritet të ndikojnë shumë në rezultat, duke theksuar rikthimin e Vjosa Osmanit në listën e LDK-së, si dhe kandidimin e Ardian Gjinit si bartës liste i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Këto prurje të reja, ashtu siç po i proklamojnë partitë politike, duket se nuk do të sjellin shumë vota, përjashto Lidhjen Demokratike që ka bërë një rikthim të jashtëzakonshëm të zonjës Vjosa Osmani në listat e saj dhe të disa deputetëve e eksponentëve të cilët kanë kaluar në Lëvizjen Vetëvendosje. Sa u përket partive të tjera, nuk shoh që kanë ndonjë risi, përjashto Ardian Gjinin, i cili tani është bartës i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, ka thënë Zeqiri.
KQZ ka bërë të ditur se procesi i certifikimit të kandidatëve pritet të përfundojë deri më 15 maj, ndërsa paraprakisht kandidatët do t’u nënshtrohen verifikimeve ligjore nga institucionet relevante, për të vlerësuar nëse i përmbushin kriteret sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme./rtk
“Brenda një dhome, çfarë është diskutuar?” – Osmani pretendo...
12-vjeçarja goditet nga një veturë afër shkollës “Elena Gjik...
Sulm masiv rus në Ukrainë, 6 të vdekur
Kishte fshehur 1.2 kilogramë kokainë në jastëk, në pranga 32...
Dy ushtarakët shqiptarë fitojnë konkursin e Gardës Kombëtare...
Sllovakia mbyll të gjitha pikat kufitare me Ukrainën për shk...