Zyrtari i Pentagonit: Lufta me Iranin deri tani ka kushtuar 29 miliardë dollarë

19:17 | 12 Maj 2026
Q L

Lufta kundër Iranit deri tani i ka kushtuar ShBA’së 29 miliardë dollarë — një vlerësim më i lartë se shifra prej 25 miliardë dollarësh që zyrtarë të lartë të Pentagonit i kishin paraqitur Kongresit dy javë më parë, raporton CNN.

Nga Pentagoni kanë deklaruar se kjo shifër vjen për shkak të kostove të përditësuara për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve, si dhe kostove të përgjithshme operacionale për të mbajtur personelin në terren

“Në kohën e dëshmisë para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, shifra ishte 25 miliardë dollarë, por ekipi i shtabit të përbashkët dhe ekipi i kontrollorit po e rishikojnë vazhdimisht këtë vlerësim, dhe tani mendojmë se është më afër 29 miliardëve. Kjo për shkak të kostove të përditësuara për riparimin dhe zëvendësimin e pajisjeve, si dhe kostove të përgjithshme operacionale për të mbajtur personelin në terren” tha të martën Jay Hurst, i cili aktualisht ushtron detyrën e Kontrollorit të Pentagonit, gjatë një seance dëgjimore të Komitetit të Ndarjeve Buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve.

Më vonë, Hurst deklaroi gjatë një seance të Nënkomitetit të Senatit për Ndarjet Buxhetore se shifra prej 29 miliardë dollarësh nuk përfshin kostot e dëmeve në bazat ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

“Thjesht nuk kemi një vlerësim të saktë në këtë moment,” tha Hurst.

Kur u pyet nëse mund t’i paraqiste Kongresit një raport më formal mbi koston e luftës me Iranin, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth tha se Pentagoni do të “ndajë atë që mundemi … kur të jetë e rëndësishme dhe e nevojshme.”

Shpërndaje në rrjete sociale