Iu bashkua Vjosa Osmanit, Kodra jep dorëheqje nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve

15:17 | 10 Maj 2026
E.G

Besim Kodra ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e tij në Shoqatën për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, duke përmbyllur një periudhë të gjatë pune në këtë organizatë.

Në një njoftim publik, Kodra ka theksuar se ky vendim vjen pas një rruge të gjatë plot sfida dhe përkushtim ndaj pacientëve dhe qytetarëve, duke shtuar se angazhimi i tij ka qenë gjithmonë i udhëhequr nga synimi për të sjellë ndryshim dhe për të ofruar mbështetje për ata që kanë pasur nevojë.

“Ka qenë një rrugëtim që më ka mësuar shumë dhe më ka afruar me njerëz që kanë pasur nevojë për mbështetje. Ndryshimi vjen vetëm kur angazhohesh me sinqeritet,” ka shkruar ai.

Kodra ka bërë të ditur se po nis një rrugë të re me të njëjtin qëllim, duke u fokusuar në përfaqësimin e qytetarëve në vendimmarrje dhe në avancimin e kauzave publike.

Ky zhvillim vjen pas përfshirjes së tij në një nismë të re politike përkrah ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e ka vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në fushën e shëndetësisë dhe të drejtave të pacientëve, duke e cilësuar si një zë të rëndësishëm në këtë fushë.