Starmer këmbëngul për zgjedhjet e ardhshme dhe afrimin me Bashkimin Evropian

11:12 | 10 Maj 2026
E.G

Përballja me krizën e kostos së jetesës dhe forcimi i lidhjeve me Bashkimin Evropian pritet të jenë në qendër të mbrojtjes së pozicionit të Keir Starmer si kryeministër, raportoi BBC.

Starmer tha për gazetën “Mirror” se synon të udhëheqë Partinë Laburiste në zgjedhjet e ardhshme dhe të shërbejë një mandat të plotë, duke vazhduar atë që ai e quan një “projekt 10-vjeçar rinovimi”.

Kjo përfshin një plan për një “ekonomi më të fortë… që funksionon realisht për të gjithë”, tha ai, duke shtuar se do të jetë “i drejtpërdrejtë dhe i zëshëm” për nevojën e afrimit të mëtejshëm me Brukselin.

Starmer theksoi se të rinjtë “duhet të jenë të lirë të punojnë, studiojnë dhe udhëtojnë në vendet evropiane”.

Një ditë më parë, ai emëroi ish-figura të larta të Laburistëve, Gordon Brown dhe Harriet Harman, në role këshillimore – një lëvizje që një ministër e cilësoi si “shaka”.

Megjithatë, Starmer i mbrojti këto emërime, duke i përshkruar si të orientuara drejt së ardhmes dhe të fokusuara në financat globale dhe luftën kundër misogjinisë.

Të hënën, Starmer pritet të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me BE-në, ndërsa të mërkurën qeveria do të paraqesë legjislacionin e planifikuar në Fjalimin e Mbretit.

Ndërkohë, Starmer përballet me presion politik brenda partisë, pasi deputetja laburiste Catherine West i ka vendosur një afat deri të hënën kabinetit, për të ndërmarrë hapa ndaj lidershipit të tij, ose përndryshe do të tentojë vetë të nxisë një garë për drejtimin e partisë.

Në një intervistë për BBC, West tha se preferon që kabineti të propozojë “komunikuesin më të mirë” si zëvendësues të Starmer, për të shmangur një garë të plotë lidershipi.

Ajo shtoi se, nëse kjo nuk ndodh deri të hënën, do të kërkojë mbështetjen e 81 deputetëve laburistë – numri i nevojshëm për të hapur një sfidë ndaj liderit të partisë.

West tha se tashmë ka mbështetjen e 10 deputetëve, por është e bindur se do të sigurojë numrin e nevojshëm për të nisur një garë.