Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka drejtuar një letër publike qytetarëve të Tenerifes, Spanjë, lidhur me mbërritjen e anijes “MV Hondius”, në të cilën është identifikuar një shpërthim i virusit hantavirus.
Në mesazhin e tij, Tedros ka pranuar shqetësimet e banorëve të ishullit, duke kujtuar traumën e pandemisë COVID-19, por ka theksuar se situata aktuale nuk paraqet të njëjtin rrezik.
“Ky nuk është një tjetër COVID. Rreziku aktual për shëndetin publik nga hantavirusi mbetet i ulët”, ka deklaruar ai.
Sipas OBSh-së, në anije është identifikuar varianti Andes i hantavirusit, ndërsa tre persona kanë humbur jetën. Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ka pasagjerë me simptoma në bord.
Tedros ka bërë të ditur se një ekspert i OBSh-së ndodhet në anije dhe se autoritetet spanjolle kanë përgatitur një plan të detajuar për transferimin e pasagjerëve. Ata do të zbarkohen të dielën në portin industrial të Granadillas, larg zonave të banuara, dhe do të transportohen me automjete të mbyllura e të ruajtura drejt aeroporteve për kthim në shtetet e tyre.
“Ju nuk do t’i takoni ata dhe as familjet tuaja nuk do të bien në kontakt me ta”, ka siguruar ai qytetarët e Tenerifes.
Kreu i OBSh-së ka falënderuar edhe kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, për pranimin e anijes, duke e quajtur vendimin “një akt solidariteti dhe detyrimi moral”.
Ai ka shpjeguar se kërkesa e OBSh-së ndaj Spanjës është bërë në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit, të cilat përcaktojnë se porti më i afërt me kapacitet të mjaftueshëm mjekësor duhet të ndihmojë në raste të tilla emergjente.
Sipas tij, rreth 150 persona nga 23 shtete kanë mbetur në det prej javësh, të frikësuar dhe larg familjeve të tyre, ndërsa Tenerife është zgjedhur për shkak të kapaciteteve mjekësore dhe infrastrukturës së nevojshme.
Tedros ka njoftuar gjithashtu se planifikon të udhëtojë vetë në Tenerife për të mbikëqyrur operacionin dhe për të shprehur mirënjohjen ndaj punonjësve shëndetësorë, stafit portual dhe qytetarëve të ishullit.
“Viruset nuk kujdesen për politikën dhe nuk respektojnë kufijtë. Imuniteti më i mirë që kemi është solidariteti”, ka përfunduar ai.
Noizy thirret në gjykatë si dëshmitar, ftohet edhe Clevio
“Kosova dhe Serbia duhet të negociojnë çdo javë”, thotë amba...
Magyar ndan video pas marrjes së detyrës, ministri i tij për...
VLEN-i zyrtarizon bashkimin në një subjekt të vetëm politik
Britania dërgon luftanije në Lindjen e Mesme, në rast përshk...
Sot Dita e Evropës, Kurti jep një premtim për mandatin e ard...