Zulfaj pret ambasadorin suedez, riafirmohet mbështetja ndaj Kosovës

20:27 | 7 Maj 2026
E.G

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Sh.T. Jonas Westerlund.

Sipas njoftimit, ambasadori e ka uruar Zulfajn për detyrën e re, teksa ka ritheksuar mbështetjen e Suedisë për proceset reformuese dhe integrimin evropian të Kosovës.

“Gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Suedisë, avancimin e reformave në kuadër të Agjendës Evropiane, si dhe rëndësinë e partneriteteve të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike”, thuhet në njoftim.

Zulfaj theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Suedisë mbështeten në vizionin e përbashkët për demokracinë, sundimin e ligjit dhe bashkëpunimin rajonal, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të këtij partneriteti në mbështetje të reformave dhe rrugëtimit evropian të Kosovës.