Kina, fituesja e madhe ekonomike nga lufta SHBA-Iran në Lindjen e Mesme

10:54 | 7 Maj 2026
E.H

Lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që sipas shumë analistëve kishte edhe objektiv dobësimin ekonomik të Kinës, po prodhon efektin e kundërt.

Në vend që Pekini të izolohej nga burimet energjetike globale, kriza në Lindjen e Mesme dhe frika për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit kanë shtyrë shumë vende të investojnë më shpejt në energjinë e rinovueshme dhe makinat elektrike, sektorë ku Kina dominon pothuajse plotësisht.

Sipas të dhënave të qendrës studimore Ember, eksportet kineze të paneleve diellore u dyfishuan në muajin mars, muaji i parë i përplasjes SHBA-Iran. Kapaciteti i moduleve të shitura u rrit nga 16 në 31 gigavat.

Nëse përfshihen edhe komponentët si qelizat dhe uafer-at e silikonit, Kina eksportoi pajisje me kapacitet total prej 68 gigavatësh, një rekord historik dhe rreth 50% më shumë se çdo nivel i mëparshëm.

Kina kontrollon mbi 90% të prodhimit botëror të uafer-ave dhe qelizave fotovoltaike, si dhe rreth 86% të tregut të paneleve të gatshme diellore. Kjo do të thotë se pothuajse çdo shtet që dëshiron të rrisë prodhimin e energjisë së gjelbër duhet të blejë teknologji kineze.

Edhe Italia po bëhet gjithnjë e më e varur nga importet kineze. Midis shkurtit dhe marsit, importet italiane të paneleve diellore nga Kina u rritën në nivele rekord, duke kaluar nga 0.28 gigavat në mbi 0.61 gigavat kapacitet. Kompanitë italiane po importojnë gjithashtu më shumë komponentë për t’i montuar panelet në Itali, por me pjesë të prodhuara në Kinë.

Ndikimi i krizës po ndihet edhe në tregun e automjeteve elektrike. Në Bashkimin Europian, shitjet e makinave elektrike në mars arritën pothuajse të barazohen me ato të makinave me benzinë. Në Gjermani dhe Francë, makinat elektrike tashmë kanë kaluar modelet tradicionale në regjistrimet e reja. Italia po regjistron rritjen më të madhe të shitjeve të automjeteve elektrike, edhe pse në nivele ende të ulëta, falë subvencioneve shtetërore.

Ekspertët kujtojnë se krizat e naftës në vitet ’70 favorizuan prodhuesit europianë si Fiat-i, sepse konsumatorët kaluan tek makinat e vogla me konsum të ulët. Sot, megjithatë, kriza energjetike po favorizon kryesisht Kinën, e cila kontrollon tregun global të teknologjive të gjelbra.

Në vend që të dobësojë Pekinin, strategjia e presidentit amerikan Donald Trump duket se po i jep Kinës një avantazh të madh industrial dhe ekonomik. Politika e tij për të rritur prodhimin e naftës (“drill, baby, drill”) po sjell efekt të kundërt: shumë vende po përpiqen të ulin varësinë nga karburantet fosile dhe po orientohen drejt teknologjive të gjelbra kineze./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale