Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për vrasjen në Gjakovë

11:33 | 5 Maj 2026
E.H

Është dorëzuar në polici i dyshuari për vrasjen e 31-vjeçarit në Gjakovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për këtë rast janë të dyshuar, ndërsa njëri nga ta me inicialet Q. S. është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit. Viktima ka marrë lëndime nga nga një mjet i mprehtë dhe fillimisht është dërguar në QKMF-në në Gjakovë, e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm, ku ka vdekur.

Njoftimi i plotë i policisë:

Rasti është cilësuar si “Vrasje”.

Sot, në orët e hershme të mëngjesit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë është njoftuar se një person i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë.

Fillimisht, i lënduari është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), e më pas është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku ka ndërruar jetë.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se rreth orës 02:20, pas një mosmarrëveshjeje në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë, viktima është sulmuar me mjet të mprehtë nga një person tjetër i moshës madhore, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Njësitë relevante policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes dhe, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti “Vrasje”.

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre, me inicialet Q. S., rreth orës 09:45 është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë.

Aktualisht, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

LEXO EDHE:

Vritet një 31-vjeçar në Gjakovë, i dyshuari në arrati

Shpërndaje në rrjete sociale