PDK mbledh Kryesinë: Po rrezikohet rendi kushtetues, s’do ta lejojmë e do ta ndalojmë

16:27 | 28 Prill 2026
Q L

Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Kryesisë, dënon ashpër përpjekjet për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se ky veprim përbën cenim të rëndë të rendit kushtetues dhe e shtyn vendin drejt një anarkie politike me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit.

“Pushteti politik nuk mund të vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet tona. Ky është cenim i rendit kushtetues. Këtë nuk do ta lejojmë dhe do ta ndalojmë”, u shpreh Hamza.

Kryesia e PDK-së thekson se shteti i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë dhe se veprimet e tilla përbëjnë rrezik serioz për themelet demokratike të tij.

PDK shton se Kushtetuta dhe ligjet nuk mund të interpretohen sipas interesave të ngushta ditore politike dhe se çdo devijim nga këto parime krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen e vendit.

Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të jenë vigjilentë dhe aktivë në mbrojtje të shtetit të së drejtës.

Shpërndaje në rrjete sociale