Trajneri i moshave të Juventusit kundër transferimit të Lewas: Do të doja të shihja edhe lojtarë si Zhegrova në skuadër

16:27 | 28 Prill 2026
D.H

Ish-sulmuesi dhe trajneri i akademisë së Juventus, Fabrizio Ravanelli, ka dhënë një intervistë për La Gazzetta dello Sport, ku ka analizuar situatën aktuale të klubit bardhezi dhe nevojën për përforcime në repartin ofensiv.

Ravanelli ka theksuar se sulmuesi i Barcelona, Robert Lewandowski, nuk është profili i duhur për Juventusin, kryesisht për shkak të moshës.

Sipas tij, klubi duhet të fokusohet te lojtarë më të rinj dhe me perspektivë, duke përmendur si alternativa Gabriel Jesus të Arsenal dhe Victor Osimhen, i cili aktualisht luan për Galatasaray.

Me Juventusin që renditet i katërti në Serie A dhe ka shënuar vetëm 57 gola këtë sezon, shumë më pak se Inter Milan (80 gola) apo edhe Como i drejtuar nga Cesc Fàbregas (59 gola), ish-sulmuesi italian thekson se është urgjente afrimi i një “sulmuesi vrastar” në repartin ofansiv.

“Rinovimi i Dusan Vlahovic nuk mjafton. Historikisht, Juventusi ka pasur gjithmonë konkurrencë të fortë në repartin ofensiv. Do të doja të shihja edhe lojtarë si Edon Zhegrova në skuadër”, u shpreh Ravanelli.

Duke folur për Lewandowskin, ai shtoi: “Nuk dyshoj fare në cilësitë e tij – është një fenomen i vërtetë. Por për Juventusin do të ishte një mesazh i gabuar për të ardhmen. Duhet të synojmë lojtarë si Osimhen, me çdo kusht, apo profile si Gabriel Jesus.”

Ravanelli gjithashtu theksoi se trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka vuajtur mungesën e një finalizuesi gjatë sezonit, sidomos për shkak të lëndimeve të Vlahovicit. Edhe pse sulmuesi serb mund të ndihmojë skuadrën, italiani mendon se nevojitet një tjetër profil në sulm.

Sipas tij, Juventusi duhet të rikthehet te rrënjët duke investuar te të rinjtë: “Çelësi i suksesit është zhvillimi i lojtarëve të rinj. Edhe kur fituam Champions League, kishim një bazë të fortë me lojtarë të rinj si Alessandro Del Piero, Tacchinardi, Di Livio, Porrini, Torricelli dhe Peruzzi. Të gjithë kishim uri për sukses dhe dëshirë për të merituar fanellën e Juventusit.”

Në fund, ai theksoi se klubi duhet të ndërtojë sërish një projekt afatgjatë mbi talentet e reja, në vend që të mbështetet në transferime afatshkurtra si ai i Lewandowskit./Arbresh.info