Pas humbjes 2-1 ndaj Manchester City, trajneri i Arsenal, Mikel Arteta, ka folur për Sky Sport, duke analizuar në detaje ndeshjen dhe duke theksuar se skuadra e tij humbi një mundësi të artë.
Arteta insistoi se diferenca mes dy ekipeve ishte minimale, por u vendos nga efikasiteti dhe momentet vendimtare.
“Kur nuk i shfrytëzon rastet dhe ata kanë cilësi individuale, ky është rreziku – sepse e humb ndeshjen. Nuk mendoj se kishte ndonjë dallim mes dy skuadrave”, u shpreh ai.
Tekniku i londinezëve foli edhe për fatin në disa momente kyçe, duke përmendur golin e dytë të vendasve, ku përfitoi Erling Haaland.
“Ekziston edhe një element fati – nëse topi hyn apo jo. Te goli i dytë, topi devijohet dhe përfundon te Haaland. Por është edhe cilësia individuale – të jesh i qetë, i saktë dhe i pamëshirshëm. Duhet të jesh aty”, deklaroi Arteta.
Ai theksoi se skuadra e tij e bëri lojën që kishte planifikuar dhe luftoi deri në fund, por pranoi se në disa momente mungoi qetësia.
“Ne e bëmë absolutisht këtë. Mund ta shihni deri në fund të ndeshjes qëndrimin e ekipit. Mund të ishim më të qetë në disa momente, por padyshim e çuam lojën aty ku donim. E dinim që kishim një shans të madh për ta fituar. Ishim afër, por jo mjaftueshëm. Humbëm një mundësi të madhe sot, por kemi edhe pesë ndeshje të tjera dhe shumë gjëra pozitive nga kjo ndeshje.”
Arteta zbuloi se Arsenali krijoi pikërisht situatat që kishte synuar para ndeshjes, duke veçuar një rast konkret të Kai Havertz.
“Krijuam situatat që mendonim se mund t’i krijonim. Ishte një moment kur Havertz ishte në pozicion të rregullt në mesfushë dhe krejtësisht i lirë për të shkuar një kundër një. Këto i bëmë.”
Ai shtoi se niveli i kërkuar për të fituar ndaj skuadrave si Manchester City është maksimal dhe çdo rast duhet shfrytëzuar.
“Ne jemi në këtë nivel sepse kjo skuadër na ka sjellë këtu. Ky është niveli që duhet për ta fituar. Ka raste të mëdha përpara portës, si ato që patëm ndaj tyre, ku duhet t’i shfrytëzosh për t’u kthyer nga Etihad me tri pikë.”
Trajneri spanjoll foli edhe për intensitetin e ndeshjes dhe krahasoi disa momente me finalen e kupës.
“Ishte një betejë, me shumë intensitet, siç pritej. Disa pjesë të lojës ishin shumë të ngjashme me 28 minutat e para të finales së kupës. Kishim dy raste të mëdha për të kaluar në epërsi, por nuk i shfrytëzuam dhe kjo ndryshon rrjedhën e ndeshjes.”
Arteta nuk harroi të përmendë edhe ngarkesën e madhe të ndeshjeve që po kalon skuadra e tij, duke përfshirë edhe përballjen e fundit në UEFA Champions League ndaj Sporting CP.
“Ne e marrim ndeshje pas ndeshjeje. Para disa ditësh kishim momente shumë të mira në Champions League ndaj Sportingut. Po luajmë shumë ndeshje – jemi skuadra e vetme që po luan vazhdimisht. Por pozitivja është se kemi parë nivelin tonë, mund ta përballojmë dhe madje të bëjmë edhe më mirë.”
Në fund, Arteta u shpreh optimist për vazhdimin e sezonit, duke theksuar se gjithçka mbetet e hapur.
“Kemi edhe pesë ndeshje përpara dhe do të japim gjithçka. Kemi besim të plotë se mund t’ia dalim. Sot treguam çfarë skuadre jemi. Është ende në duart tona dhe është aty për t’u marrë”, përfundoi trajneri i Arsenalit.
Arsenal tashmë është vetëm tri pikë para Cityt, ku ka 70 sosh ndërsa skuadra e Guardiolës ka 67, me një ndeshje më pak të luajtur.
Takimin e radhës, Arsenali e luan me Newcastle, ndërsa Man City përballet me Burnleyn./Arbresh.info
Rruga “Dardania” në Fushë Kosovë ende larg përfu...
Ukraina i kërkon Turqisë të organizojë takimin Zelensky-Puti...
E dhimbshme: Ndahet nga jeta ish-luftëtari i UÇK-së
Besfort Zeneli shkëlqen me gol në fitoren ndaj Club Brugge
Endrick me gol dhe asistim, Lyon e mposht Parisin në “Parkun...
Australia dhe Japonia nënshkruajnë kontrata për anije luftar...