Peja kalon në gjysmëfinale pas fitores ndaj Yllit, përballet me Trepçën

23:32 | 18 Prill 2026
Q L

Skuadra e Pejës ka siguruar plasmanin në gjysmëfinale të “playoff” në Superligën e Kosovës në basketboll, pasi ka mposhtur Golden Eagle Ylli me rezultat 82:70 në ndeshjen vendimtare të çerekfinales.

Me këtë fitore, Peja e ka fituar serinë me rezultat 2:1 dhe është bërë gjysmëfinalistja e fundit e këtij edicioni.

Ndeshja e zhvilluar në Suharekë ka nisur më mirë për pejanët, të cilët e kanë udhëhoqur që nga sekondat e para dhe kanë krijuar epërsi të thellë gjatë pjesës së parë. Falë një loje shumë efikase në sulm, Peja ka shkuar në pushim me rezultat 55:34, duke bërë një hap të madh drejt kualifikimit.

Edhe pse skuadra vendase ka tentuar rikthimin dhe ka arritur ta zvogëlojë diferencën në nëntë pikë dy minuta para fundit, ajo nuk ka pasur forcë për përmbysje, ndërsa Peja e ka menaxhuar mirë epërsinë deri në fund për fitore me dymbëdhjetë pikë dallim.

Më i dalluari te Peja ka qenë Daquan Bracey me njëzet e tri pikë, shtatë kërcime dhe shtatë asistime. Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe Cecil Williams me njëzet pikë dhe Arti Hajdari me pesëmbëdhjetë pikë. Te Ylli, më efikasi ka qenë Scott Bamforth me njëzet e nëntë pikë, ndërsa është dalluar edhe Erjon Kastrati me njëmbëdhjetë pikë.

Në gjysmëfinale, Peja do të përballet me rivalin e vjetër Trepça, ndërsa në çiftin tjetër gjysmëfinal do të takohen Bashkimi dhe Bora.

Shpërndaje në rrjete sociale