Kane: Camavinga e meritoi përjashtimin, vendimi ishte i drejtë

16:47 | 16 Prill 2026
D.H

Harry Kane ka komentuar sfidën pas fitores së Bayern Munich ndaj Real Madrid dhe eliminimit të “Los Blancos” nga UEFA Champions League.

Bayerni e mposhti Realin 4:3, dhe e eliminoi me rezultat të përgjithshëm (6:4), për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, shkruan Arbresh.info.

Sulmuesi anglez u ndal te momenti më i diskutuar i ndeshjes, përjashtimi i Eduardo Camavinga, i cili shkaktoi reagime të shumta nga kampi madrilen.

“Ndoshta ata janë të zemëruar, por në vitet e fundit kanë përfituar shpesh nga vendimet e gjyqtarëve. Ishte një karton i verdhë i panevojshëm. Si lojtar nuk mund ta marrësh topin dhe të largohesh me të, sidomos kur ke një karton. Është shumë e rrezikshme”, ka thënë Kane.

Ai shtoi se vendimi i gjyqtarit ishte i drejtë dhe në fund rezultoi në favor të skuadrës së tij.

“Gjyqtari vendosi kështu dhe është në rregull që kjo situatë shkoi në favorin tonë”, përfundoi sulmuesi i Bayern Munich.

Kane realizoi golin e dytë në këtë ndeshje. Bayerni në gjysmëfinale do të takohet me kampionin në fuqi të Evropës, PSG./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale