Në Mynih pritet rikthimi i një prej armëve më të rëndësishme të Real Madrid, Ferland Mendy. Mbrojtësi francez, në heshtje dhe me shumë kujdes, ka përgatitur veten e tij për të qenë gati në sfidën vendimtare në “Allianz Arena”, aty ku madrilenët luajnë gjithçka për sezonin, në ndeshjen çerekfinale të kthimit.
Edhe pse ka vetëm 258 minuta lojë këtë edicion, Mendy konsiderohet një element kyç për mbrojtjen e “Los Blancos”. I njohur për problemet e shumta fizike – me plot 129 ndeshje të humbura për shkak dëmtimesh që nga ardhja në Madrid – ai vazhdon të mbetet një “aset” i pazëvendësueshëm sa herë që është në formë.
Trajnerët ndër vite, nga Zinedine Zidane te Carlo Ancelotti dhe tani Álvaro Arbeloa, kanë pasur gjithmonë besim të madh te francezi. Ancelotti madje e ka cilësuar si “mbrojtësin e majtë më të mirë defensiv në botë”.
Megjithatë, jo të gjithë janë bindur nga kjo situatë. Selektori i Francës, Didier Deschamps, e kishte lënë jashtë planeve në vitin 2023, duke vënë në dyshim përkushtimin e tij.
Pavarësisht kritikave, te Real Madridi Mendy shihet si një “joker” – një lojtar që nuk mund të llogaritet gjithmonë, por kur është në dispozicion, bën diferencën. Kjo u pa edhe sezonin e kaluar, kur ai ishte titullar në ndeshjet vendimtare të Ligës së Kampionëve dhe mungesa e tij u ndje menjëherë.
Në Mynih, roli i tij pritet të jetë vendimtar, sidomos në duel me yllin në formë të Bayern Munich, Michael Olise, i cili shkëlqeu në ndeshjen e parë në “Bernabéu”.
Nga Mendy nuk pritet shumë në sulm, por në mbrojtje ai mbetet garanci. Me përvojë të madhe në ndeshje të mëdha – përfshirë përballje ndaj klubeve si Manchester City, PSG, Liverpool e Bayern – ai sjell siguri dhe stabilitet në prapavijë.
Ndeshja çerekfinale mes Bayern dhe Real Madridit nis sonte nga ora 21:00./Arbresh.info
Orbán nuk do të marrë pjesë në samitin e tij të fundit të BE...
Rriten çmimet e biletave, Stacioni i Autobusëve del me njoft...
Shtëpia e Bardhë mohon se ShBA-ja ka kërkuar zgjatje të armë...
Luis Enrique “makthi” i skuadrave angleze në Lig...
ShBA: Asnjë anije nuk ka kaluar bllokadën në 48 orët e para
Konfirmohet rasti i parë i lisë së deleve/dhive në Kosovë