Sipas raportit, pas një periudhe të zgjatur me bllokadë politike, aktiviteti ekonomik ka pësuar ngadalësim.
Rritja reale e Bruto Produktit të Brendshëm ka rënë në 3.6% gjatë vitit 2025, krahasuar me 4.6% në vitin paraprak. Kjo rënie lidhet kryesisht me tkurrjen e eksporteve dhe dobësimin e kërkesës nga sektori privat, megjithëse është zbutur pjesërisht nga rritja e shpenzimeve dhe investimeve publike.
FMN vlerëson se inflacioni ka vijuar trendin rritës, duke arritur në rreth 5.7% në fillim të vitit 2026, kryesisht si rezultat i shtrenjtimit të produkteve ushqimore.
Po ashtu, deficiti i llogarisë rrjedhëse është rritur në 9.2% të BPB-së, si pasojë e importeve të larta, veçanërisht në sektorin e energjisë dhe ushqimit.
Sa i përket perspektivës, FMN parashikon që rritja ekonomike në vitin 2026 të jetë rreth 3.3%, ndërsa inflacioni pritet të arrijë në 5.9% përpara se të ulet gradualisht në rreth 2% deri në vitin 2028.
Në raport theksohet se deficiti tregtar do të mbetet i lartë, ndërsa ndër faktorët që mund të ndikojnë negativisht përmendet edhe ndalja e përkohshme e termocentralit për shkak të renovimit.
FMN ka identifikuar disa rreziqe kryesore për ekonominë e Kosovës, përfshirë zhvillimet në Lindjen e Mesme, tensionet në tregtinë globale, rritjen e çmimeve të produkteve bazë si dhe pasiguritë politike në vend.
Megjithatë, në anën pozitive, përmendet potenciali i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili mund të ndikojë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, nëse zbatohet në mënyrë efektive.
Në fund, FMN i rekomandon Kosovës të ruajë stabilitetin makroekonomik, të kontrollojë shpenzimet buxhetore, të rrisë investimet publike dhe të avancojë reformat strukturore, me qëllim forcimin e ekonomisë dhe afrimin me standardet e Bashkimit Evropian.