Kurti përkujton viktimat e luftës në Kastriot dhe Skenderaj: Dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë

14:16 | 31 Mars 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e luftës në Kastriot dhe Skenderaj, duke i cilësuar këto ngjarje si dëshmi të krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Përmes një postimi, Kurti bëri të ditur se janë bërë homazhe te familjet Morina dhe Mulliqi, në nderim të viktimave të vrara gjatë luftës.

Ai theksoi se në këto raste cak i forcave serbe kanë qenë edhe fëmijët dhe nxënësit.

Postimi i plotë:

Dje përkujtuam dy ngjarje tjera të rënda, dëshmi e krimeve të Serbisë në Kosovë. Në Kastriot dhe Skenderaj, te familjet Morina dhe Mulliqi, bëmë homazhe në nderim të viktimave të gjenocidit të Serbisë.

Aty cak i forcave të armatosura ishin edhe fëmijët dhe nxënësit.

Në fshatin Milloshevë të Kastriotit përkujtuam masakrën ndaj veprimtarit të çështjes kombëtare Fejzullah Morina dhe tre djemve të tij: Lavdimit, Fidaimit dhe Shkëlzenit. Dy të fundit ishin vetëm 14 dhe 10 vjeç.

Në Abri të Epërme të Drenasit, ndërkaq, përkujtuam tetë anëtarët e familjes Mulliqi, burra e djem të vrarë nga forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999. Prej tyre, katër ishin nxënës të moshave 13 deri në 17 vjeç.

Me këtë rast përkujtuam edhe dëshmorin e kësaj familjeje nga beteja e 19 gushtit 1998, Sejfulla Mulliqi, i cili përbën një shembull të pashoq, pasi si 17-vjeçar kishte shitur lopën për të blerë një armë, vetëm e vetëm që t’i bashkohej radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për të rikujtuar çmimin e shtrenjtë të lirisë dhe të shtetit që kemi sot, në këtë vend vijmë edhe çdo 26 shtator. Në atë datë të vitit 1998, forcat serbe masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu.

Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të lirisë!/Arbresh.info