Nën drejtimin e kryetarit, Niko Peleshi, Kuvendi i Shqipërisë u mblodh ditën e sotme në seancën plenare të “Javës së gjelbër”, kushtuar çështjeve të evidentuara gjatë takimeve të deputetëve me zgjedhësit, në zonat elektorale.
Gjatë kësaj seance, deputetët diskutuan problematikat e evidentuara nga takimet në zonat e tyre elektorale, lidhur me prodhimet bujqësore, sistemin shëndetësor, investimet në infrastrukturë, sigurinë publike, etj.
Po ashtu, çështje të tjera qe u ngritën ishin çmimet e ushqimeve, modelin e tregut të hidrokarbureve, si edhe turizmin në vendin tonë.
Gjatë seancës në Kuvend, deputeti socialist Erion Braçe ngriti si çështje modelin e tregut të hidrokarbureve që po ndikon në çmimin e naftës, e cila shihet të ketë tendencë rritjeje.
“Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera”, tha Braçe.
Deputeti tha se Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon.
Deputetja e Partisë Demokratike, Greta Bardeli ngriti shqetësimin për mungesën e investimeve në veri, duke kërkuar përgjigje për një nga projektet e shumëpërfolura infrastrukturore.
“Po ju pyes drejtpërdrejt, deputetë të Shkodrës: A do ndërtohet ndonjëherë Rruga e Dukagjinit? Kur e ka afatin fundor kjo rrugë dhe kush mban përgjegjësi për dështimin deri tani?”, u shpreh ajo.
Ndërsa deputeti socialist Ardit Bido njoftoi një zhvillim në fushën e trashëgimisë kulturore.
“Është miratuar Delvina si ansambël historik kulturor”, tha ai, duke e cilësuar këtë një hap të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare.
Po ashtu, Bido u ndal te çështja e pronave, duke theksuar se procesi i digjitalizimit të Kadastrës do të sjellë zgjidhje përfundimtare.
“Në fund të këtij mandati qeverisës, Shqipëria do të mund të zgjidhë të gjitha problematikat e pronave dhe t’u japë qytetarëve certifikatën e pronësisë”, u shpreh ai.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi bëri kritika për sistemin arsimor, duke e cilësuar gjendjen e universiteteve si problematike.
“Asnjë universitet shqiptar nuk është në mesin e 1500 më të mirëve në botë. Universitetet janë në gjendje të dobët dhe pedagogët të nënvlerësuar”, deklaroi Boçi.
Ndërsa, deputeti Eno Bozdo u ndal te situata ekonomike, duke theksuar ndikimin e kursit të këmbimit dhe rritjes së çmimit të karburanteve.
“Rënia e euros dhe rritja e çmimit të naftës po dëmtojnë prodhimin dhe industrinë. Është një goditje e rëndë për sektorin prodhues”, tha ai.
Bozdo ngriti gjithashtu shqetësimin për industrinë fason, duke paralajmëruar pasoja të rënda.
“Nëse kjo situatë vijon, rrezikojmë zhdukjen e një sektori jetik për ekonominë”, u shpreh deputeti demokrat.
Nga mazhoranca, deputetja Sara Mile u ndal te çështja e pronave në Elbasan, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së kësaj çështjeje në procesin e integrimit europian.
“Nuk mund të kemi Shqipërinë europiane pa prona të qarta. Regjistrimi i pronave po avancon dhe qytetarët do të kenë mundësi të verifikojnë pronat e tyre”, deklaroi ajo.
Ndërsa, deputeti Tërmet Peçi propozoi ngritjen e një muzeu për Ali Pashë Tepelenën në Tepelenë, duke e cilësuar si një figurë të rëndësishme historike dhe një potencial të madh për turizmin.
Çështjet mjedisore zunë gjithashtu vend në diskutime. Deputetja e PS, Marjana Koçeku solli në foltore dy kavanoza me ujë për të ilustruar ndotjen e lumit Drin.
“Ky është uji i Drinit siç ka qenë dikur, i pastër dhe i ftohtë. Ndërsa ky është uji sot, që me shumë turp e shpjegoj para turistëve”, u shpreh ajo, duke kërkuar ndërhyrje urgjente.
Ndërsa deputetja e PD, Albana Vokshi ngriti akuza për përjashtim të opozitës nga takime me përfaqësues ndërkombëtarë, ndërsa Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta.
Pas rreth 3 orë diskutimesh seanca i mbylli punimet rreth orës 20:10.
Diskutimet plenare në kuadër të “Javës së gjelbër” zhvillohen një herë në muaj, në javën e fundit të çdo muaji.
Cana: Lojtarët e Kosovës kanë bërë diçka të jashtëzakonshme
Ministri i Sportit pret në takim homologun turk para ndeshje...
Sylvinho para miqësores ndaj Ukrainës: Jemi të mërzitur, nuk...
Fisnik Asllani me postim emocionues para përballjes ndaj Tur...
Policia rrit prezencën, K9 në terren para ndeshjes Kosovë-Tu...
BBC: Kosova në eufori ndërsa ëndërron historinë e Kupës së B...