Fisnik Asllani: Do ta lëmë zemrën në fushë

14:29 | 29 Mars 2026
E.G

Sulmuesi Fisnik Asllani ka thënë se do ta lënë zemrën në fushë për Kosovën në ndeshjen ndaj Turqisë.

Kosova të martën e luan ndeshjen më të rëndësishme në histori kundër Turqisë në “Fadil Vokrri”.

Ndeshje finale e plejofit kualifikues për Botërorin e këtij viti luhet nga ora 20:45.

Asllani ka hënë se atmosfera në ekip është shumë e mirë pas fitores së madhe në Bratislavë ndaj Sllovakisë të enjten e kaluar.

“Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Besoj se fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim dhe të martën ndaj Turqisë shpresoj të bëjmë një lojë shumë të mirë. Do t’i marrim gjithë tifozët afër vetes dhe shpresojë të fitojmë ndeshjen dhe të shkojmë në Botëror”, ka thënë Asllani për Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ai insiston se lojtarët do ta japin më të mirën e tyre në fushë ndaj përfaqësueses turke të futbollit.

“Nuk më intereson mua, e besoj as ekipit. Në fund shikohet në fushë se çfarë bëhet. Ata mund të jenë sa të duan favorit. Ka qenë edhe Sllovakia edhe Suedia. Ne do ta kryejmë punën tonë. Do ta japim maksimumin në fushë dhe të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka theksuar Asllani.

Ai pret atmosferë të zjarrtë në tribuna nga shikuesit e Kosovës.

“Pres të na ndihmojnë sa të munden, të na përkrahin brenda fushës, jashtë fushës. Ne do ta japim maksimumin për ata, do ta lëmë zemrën në fushë. Ne me ata e ata me neve do ta fitojmë ndeshjen të martën”, është shprehur Asllani.

Shpërndaje në rrjete sociale