Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka reagoi pas eliminimit të Kombëtares shqiptare nga gara për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar humbjen në Poloni si të dhimbshme, por njëkohësisht duke vlerësuar maksimalisht paraqitjen e skuadrës.
Shqipëria u mposht me rezultatin 2-1 në udhëtim ndaj Polonisë, duke i dhënë fund ëndrrës për një kualifikim historik në Botëror.
Në reagimin e tij, Duka theksoi se, pavarësisht rezultatit, skuadra meriton vlerësim për shpirtin dhe karakterin e treguar në fushë.
“Sonte nuk është një natë për të ulur kokën. Përkundrazi, është një natë për të qëndruar drejt dhe për t’u mburrur me këtë skuadër, me këta djem që në çdo minutë të lojës tregojnë shpirt, karakter dhe atë gjë që nuk mësohet, gjakun shqiptar,” u shpreh ai.
Kreu i FSHF-së e cilësoi eliminimin si një moment të vështirë, pasi sipas tij, Kombëtarja ishte më pranë se kurrë realizimit të objektivit.
“Po, kjo humbje dhemb. Dhemb, sepse na ndërpret një ëndërr që e kemi ndërtuar prej vitesh dhe që sot dukej më pranë se kurrë”, deklaroi Duka.
Megjithatë, ai nënvizoi se performanca e ekipit përfaqëson një sinjal të fortë për të ardhmen e futbollit shqiptar.
“Ajo që këta djem treguan në fushë është më shumë se një rezultat. Është një premtim. Është prova se kjo është, pa asnjë dyshim, skuadra më e fortë dhe më e bukur që kemi pasur ndonjëherë”, shtoi ai.
Në përfundim, Duka falënderoi lojtarët për angazhimin dhe emocionet e dhuruara, duke theksuar se krenaria për këtë ekip mbetet e pandryshuar, pavarësisht eliminimit./atsh
Oda Amerikane-Qeverisë: Përmirësimi i klimës për bizneset kë...
DASH publikon listën me vendet më të rrezikshme, sa të sigur...
KEDS paralajmëron konferencë më 1 prill për njehsorët elektr...
Osmani: Historia e Nënës Ferdonije simbol i dhimbjes dhe qën...
Sot, dita e fundit e konkursit për rekrutimin e ushtarëve të...
Izraeli nis valë të re sulmesh në Iran