Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se stërvitjet ushtarake të zhvilluara nga Serbia javën e kaluar pranë kufirit me Kosovën përbëjnë kërcënim serioz për sigurinë në vend dhe më gjerë.
Në një intervistë në Tëvë1, Maqedonci ka theksuar se aktivitete të tilla janë shqetësuese, veçanërisht kur lidhen me një politikë që, sipas tij, ka prirje hegjemoniste ndaj fqinjëve.
“Stërvitjet, sidomos kur realizohen nga një ushtri që mbështetet nga një politikë agresive, janë patjetër kërcënuese. Ushtria është instrument i politikës dhe kur kjo politikë përmban elemente hegjemoniste, çdo aktivitet i tillë paraqet presion dhe shantazh shtetëror ndaj një vendi tjetër”, ka deklaruar ai.
Maqedonci ka bërë të ditur se stërvitjet janë zhvilluar brenda territorit të Serbisë, por shumë pranë vijës kufitare me Kosovën.
Sipas tij, përzgjedhja e kësaj zone është provokuese, duke pasur parasysh se Serbia disponon hapësira të tjera për trajnime ushtarake brenda territorit të saj.
“Ato janë realizuar në afërsi të kufirit me Kosovën, edhe pse Serbia ka shumë poligone të tjera ku mund të zhvillojë stërvitje pa provokuar fqinjët. Vetë zgjedhja e kësaj zone e bën këtë ushtrim kërcënues për Kosovën, rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare”, është shprehur ai.
I pyetur nëse këto veprime synojnë nxitjen e konfliktit, Maqedonci ka thënë se më shumë bëhet fjalë për demonstrim force dhe përpjekje për presion politik.
“Besoj se është një tentativë për presion dhe demonstrim force. Në mungesë të veprimit brenda territorit të Kosovës përmes elementeve paramilitare, kemi një shpërfaqje të jashtme përmes ushtrimeve ushtarake. Çdo aktivitet i tillë pranë kufirit shihet si kërcënim, sidomos në një kohë të ndjeshme për sigurinë globale dhe me retorikë të vazhdueshme nga Beogradi ndaj Kosovës”, ka përfunduar ai.
Rama: Franca ndër vendet e para që njohu Kosovën, partner i ...
Maqedonci: Stërvitjet ushtarake të Serbisë pranë kufirit, kë...
Izraeli do të vazhdojë sulmet/ SHBA nxit për paqe, Netanyahu...
Pse qeni bëhet i shqetësuar para stuhisë: Ja cilat ndryshime...
Mbappe: Ka pasur shumë spekulime dhe janë thënë gjëra të pav...
Tragjedi në Gjermani, vdes 3 vjeçari disa ditë pasi ra në lu...