Negociata të mundshme me Iranin, Netanyahu dhe JD Vance bisedë telefonike

20:54 | 23 Mars 2026
E.G

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zëvendëspresidenti amerikan JD Vance zhvilluan një bisedë telefonike sot ku diskutuan përpjekjet për të rinisur negociatat midis SHBA-së dhe Iranit.

Sipas kanalit ‘Channel 12’ izraelit të dy liderët analizuan elementët e mundshëm të një marrëveshjeje midis SHBA-së dhe Iranit.

Fokusi kryesor ishte në mundësinë e një marrëveshjeje për të përfunduar konfliktin aktual me Iranin.

Ky zhvillim vjen në një kontekst ku administrata Trump ka shprehur interes për diplomaci për të penguar programin bërthamor iranian, por ka paralajmëruar edhe opsione të tjera nëse bisedimet dështojnë.

Raportet e sotme kanë ndikuar edhe në tregjet financiare, me rritje të aksioneve amerikane pas lajmit për mundësinë e negociatave.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Irani ka edhe një shans të fundit për paqe. Gjatë një fjalimi të shkurtër në Memphis, Tennessee (ku po fliste kryesisht për masat kundër krimit), Trump foli edhe mbi situatën me Iranin.

Trump tha se SHBA-të po punojnë për të parë nëse mund të arrihet një “marrëveshje më e gjerë”.

Ai theksoi se “gjithë jeta ime ka qenë negociata, por me Iranin kemi negociuar prej kohësh”. Këtë herë, sipas tij, “ata e kanë seriozisht”.

Presidenti pretendoi se Irani ka pranuar se nuk do të ketë armë bërthamore. Ai përsëriti se një pjesë e madhe e udhëheqjes iraniane është eliminuar që nga fillimi i konfliktit.

Trump deklaroi se Irani ka “një shans të fundit” për paqe, pa dhënë detaje të mëtejshme se me kë po negociohet.

“Shpresojmë ta shfrytëzojnë këtë shans. Në çdo rast, Amerika dhe e gjithë bota do të jenë shumë më të sigurta, dhe planeti do të jetë shumë më i sigurt”, tha Trump.

Shpërndaje në rrjete sociale