“Referët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm” – Prishtina e Re reagon ashpër pas humbjes nga Ballkani

19:51 | 18 Mars 2026
D.H

Prishtina e Re është mposhtur sot me rezultat 0-1 nga Ballkani në kuadër të xhiros së 25-të në Superligën e Kosovës.

Por një rast në minutën e 70-të të ndeshjes, ka bërë që Prishtina e Re të reagoj ashpër përmes një komunikate të gjatë të lëshuar në rrjete sociale sa i përket referimit në Superligë, shkruan Arbresh.info.

Ky rast mund të kishte ndikuar direkt në rrjedhën e lojës, pasi kishte të bëj me një penallti.

Prishtina e Re nuk e ka përmendur vetëm këtë rast në këtë komunikatë por edhe dy raste tjera, ku gabimet e gjyqtarëve sipas tyre kanë ndikuar direkt në rezultat.

“KF Prishtina e Re në këtë kampionat është dëmtuar deri tani në 3 ndeshje që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e ndeshjes. Nuk kemi reaguar, sepse “njerëzit edhe mund të gabojnë””.

“Drenica – Prishtina e Re, xhiro 3 – anulohet goli i rregullt dhe referi akordon ndërprerje për një faull të paqenë.”

“Prishtina e Re – Ferizaj, xhiro 20 – anulohet goli i dytë i shënuar, me një offside të paqenë.”

“Sot kundër Ballkanit nuk referohet penallti ndërhyrja ndaj lojtarit tonë, Rudaj, në minutën 70. Megjithëse edhe në pamjet video shihet qartë ndërhyrja dhe nuk lë vend për dyshime, për çudi referi gjykon krejt të kundërtën.”

“Mosreferimi i drejtë sot e rrit numrin në 3 raste që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.”

“Ndërhyrja e lojtarit të Ballkanit ndaj lojtarit tonë, Rudaj, ishte penalti klasike.”

“Është e vërtetë se jemi në pozitë të vështirë, por gara është ende e hapur për mbijetesë. Ne nuk kërkojmë lëmoshë e as favore, por kur kemi të drejtë, mos na dëmtoni. Nuk ua kemi borxh!

Në raste si ky i yni, referët duhet të tregojnë përgjegjësi dhe profesionalizëm, pavarësisht se si renditen ekipet në tabelë.”

“Është hera e parë që reagojmë dhe ky reagim nuk do të duhej të kalonte në heshtje e pa përgjegjësi.”

“Ne duam që referimi të respektohet, por po ashtu duam që e drejta të ndahet në fushë ashtu siç i takon secilit, të barabartë dhe pa anime”, shkruhet në komunikatë.

Prishtina e Re është e fundit në tabelë me 23 pikë, gjashtë më pak se vendi i tetë i cili të dërgon në barazh./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale