Një muaj paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në Gjakovë, zbardhen detajet e ngjarjes

10:32 | 18 Mars 2026
E.K

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin në lidhje me vrasjen e ndodhur të hënën në një lokal në Gjakovë.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, në rrugën “Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M. P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R. B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E. M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E. M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën e tij pistoletë e llojit TT, ka shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R. B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, thuhet se si pasojë e të shtënave me armë i pandehuri rrezikon jetën e personave të tjerë, ku i dëmtuari E. M., pëson lëndime trupore dhe dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, dyshohet për “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake, Samedin Cena, pas mbajtjes së seancës dëgjimore mbrëmë, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.

“Me këtë vendim, i pandehurit N. Z., do të mbahet n paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 16 mars 2026 deri më 16 prill 2026”, njofton Gjykata.