Skandal në Afrikë: Senegalit i hiqet titulli i Kupës së Afrikës, i jepet Marokut pas vendimit të CAF

23:22 | 17 Mars 2026
D.H

Një vendim tronditës ka ardhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit (CAF), e cila dy muaj pas finales së Kupës së Afrikës 2025 ka vendosur t’ia heqë titullin Senegalit dhe t’ia japë Marokut.

Sipas njoftimit zyrtar, Bordi i Apelit i CAF ka vendosur që Senegali e ka humbur finalen në tavolinë me rezultat 3-0, për shkak të tërheqjes nga ndeshja.

“Bordi i Apelit vendosi që, në bazë të nenit 84 të rregullores së Kupës së Afrikës, Senegali e ka humbur finalen me mosparaqitje, ndërsa rezultati regjistrohet 3-0 në favor të Federatës Mbretërore Marokene të Futbollit”, thuhet në vendim.

Çfarë ndodhi në finale?

Ngjarja që çoi në këtë vendim ndodhi gjatë finales, kur Senegali u tërhoq nga fusha disa minuta pas një penalltie të akorduar për Marokun. Penalltia u godit nga Brahim Díaz, por ai e humbi atë. Megjithatë, protesta e lojtarëve senegalezë dhe braktisja e ndeshjes rezultuan fatale për ta.

CAF thekson se veprimet e Senegalit bien ndesh me nenet 82 dhe 84 të rregullores disiplinore, duke e cilësuar sjelljen si të papranueshme dhe duke e konsideruar ndeshjen të humbur automatikisht.

Vendime shtesë dhe dënime

Bordi i Apelit mori edhe disa vendime të tjera disiplinore:

  • Lojtari i Marokut, Ismaël Saibari, u dënua me dy ndeshje pezullim (njëra me kusht), ndërsa gjoba prej 100,000 dollarësh iu anulua.
  • Fédération Royale Marocaine de Football u shpall përgjegjëse për sjelljen e mbledhësve të topave, me gjobë të reduktuar në 50,000 dollarë.
  • U konfirmua gjoba prej 100,000 dollarësh për ndërhyrje në zonën VAR.
  • Gjoba për incidentin me lazer u ul në 10,000 dollarë.

Të gjitha kërkesat e tjera u refuzuan nga organi i apelit.

Ky vendim pritet të shkaktojë reagime të mëdha në futbollin afrikan dhe më gjerë, pasi është një rast i rrallë ku një titull kontinental ndryshon fitues pas përfundimit të turneut.

Maroku tashmë konsiderohet kampion zyrtar i Afrikës për vitin 2025, ndërsa Senegali përballet me pasoja të rënda sportive dhe reputacionale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale