Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka alarmuar qytetarët për gjendjen kritike të natyrës dhe ambientit publik në vend.
Ai ka vënë në dukje se rrugët, parqet, lumenjtë dhe hapësirat publike janë mbuluar me mbeturina, duke krijuar një krizë serioze për mjedisin dhe cilësinë e jetës.
Postimi i plotë
Alarmante! Gjendja katastrofale e natyrës dhe ambienteve publike
Gjendja e natyrës dhe e ambienteve publike është bërë alarmante. Çdo ditë shohim rrugë, parqe, lumenj dhe hapësira publike të mbuluara me mbeturina. Kjo nuk është më vetëm një çështje e izoluar apo lokale – është një krizë e vërtetë gjithëpërfshirëse që po degradon mjedisin dhe cilësinë e jetës sonë.
Ku mbeti krenaria për të qenë të pastër? Pastërtia fillon nga brenda: i pastër brenda, i pastër jashtë. Kur ambienti përreth është i ndotur, diçka nuk është në rregull edhe me ndërgjegjen tonë si shoqëri.
Po, përgjegjësia bie mbi ndotësit që hedhin mbeturina pa asnjë ndjenjë përgjegjësie. Por një pjesë edhe më e madhe e përgjegjësisë bie mbi institucionet. Sepse sa më i ndotur të jetë ambienti, aq më e dukshme bëhet neglizhenca dhe mungesa e ndërgjegjes institucionale për ta mbrojtur atë.
Pasojat janë serioze. Mbeturinat krijojnë rrezik të madh për infektime dhe përhapje të sëmundjeve, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Natyra, e cila duhet të jetë mbrojtja jonë më e madhe, po shndërrohet në burim rreziku për shëndetin publik.
Është koha për veprime të menjëhershme. Duhet të krijohet një task-force e posaçme për identifikimin dhe ndalimin e ndotësve. Ata që ndotin ambientin duhet të mbahen përgjegjës publikisht, të sillen para kamerave, të ndëshkohen dhe të sanksionohen sipas ligjit. Vetëm përmes përgjegjësisë, transparencës dhe veprimit konkret mund të ndryshojë kjo situatë.
Prandaj, të veprojmë sot për të mbrojtur ambientin. Sepse mbrojtja e natyrës është mbrojtje e jetës sonë.
Ju lutem, ta ruajmë dhe ta pastrojmë ambientin tonë!/Arbresh.info
Ulutash: Qe më shumë se dy vjet NATO kërkon që autorët e Ban...
Ligji për të Huajt, Rama bën apel për avancimin e Kosovës në...
Vuçiq mirëpret lehtësirat për serbët në Kosovë në kuadër të ...
Protestë në Jarinjë kundër zbatimit të ligjeve të Kosovës, p...
Courtois mohon përçarjet mes lojtarëve dhe ish-trajnerit Alo...
Ronald Araujo preferon largimin, Barcelona i vendos çmim të ...