“Shikoni çfarë do ndodhë sot”, Trump: Nder i madh të vrasësh anëtarë të regjimit iranian

07:45 | 13 Mars 2026
E.K

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është një “nder i madh” vrasja e anëtarëve të regjimit iranian, në një postim të publikuar në rrjetin social Truth Social.

Në mesazhin e publikuar mëngjesin e sotëm, Trump tha se SHBA po e “shkatërron plotësisht” regjimin iranian në disa fronte.

“Ne po e shkatërrojmë plotësisht regjimin terrorist të Iranit ushtarakisht, ekonomikisht dhe në çdo mënyrë tjetër”, shkroi ai.

Sipas tij, forcat ushtarake të Iranit janë goditur rëndë.

“Flota detare e Iranit është zhdukur, forca ajrore nuk ekziston më, raketat, dronët dhe çdo gjë tjetër po shkatërrohen, ndërsa udhëheqësit e tyre janë fshirë nga faqja e dheut”, shtoi presidenti amerikan.

Trump theksoi gjithashtu epërsinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi fuqi zjarri të pakrahasueshme, municion të pakufizuar dhe shumë kohë. Shikoni se çfarë do të ndodhë sot me këta të çmendur”, shkroi ai.

Në fund të mesazhit, presidenti amerikan tha se Irani ka vrarë njerëz të pafajshëm në mbarë botën për dekada.

“Ata kanë vrarë njerëz të pafajshëm në të gjithë botën për 47 vjet dhe tani unë, si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po i vras ata. Çfarë nderi i madh është ta bësh këtë”, përfundoi Trump në postimin e tij.