OKB e shqetësuar nga sulmi në një shkollë në Iran, humbën jetën 160 fëmijë

16:14 | 4 Mars 2026
E.H

Një panel ekspertësh i Kombeve të Bashkuara tha të mërkurën se është “thellësisht i shqetësuar” për vdekjet e fëmijëve pas bombardimit të shkollës së vajzave Shajareh Tayyebeh në jug të Iranit, duke cituar raportet sipas të cilave humbën jetën më shumë se 160 fëmijë.

Shkolla në Minab u godit të shtunën, në ditën e parë të sulmeve amerikane dhe izraelite mbi Iranin.

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të hënën se forcat amerikane “nuk do të synonin qëllimisht një shkollë”.

Izraeli ka bërë të ditur se po heton ngjarjen.

“Komiteti është i alarmuar nga raportet për sulme ndaj infrastrukturës civile, përfshirë shkolla dhe spitale, që kanë plagosur dhe traumatizuar fëmijët dhe kanë marrë shumë jetë të të rinjve”, tha Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës në një deklaratë, transmeton reuters.

Komiteti shtoi se fëmijët duhet të mbrohen nga lufta.

Komiteti i OKB-së për të Drejtat e Fëmijës është një trup prej 18 ekspertësh të pavarur që monitoron zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës, e cila garanton të drejtën e fëmijëve për arsim dhe i mbron ata nga dhuna.

Të martën, zyra e të drejtave të njeriut e OKB-së u bëri thirrje asaj që e quajti “forcat përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës në shkollën e vajzave në Iran” që të hetonte dhe të ndante informacione mbi ngjarjen, pa specifikuar se kujt i atribuonte përgjegjësinë.

Ambasadori i Iranit në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, Ali Bahreini, kishte ngritur çështjen me kreun e të drejtave të njeriut të OKB-së, Volker Turk, në një letër më 1 mars, duke e cilësuar sulmin “të papranueshëm” dhe “kriminal”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme