Në Dhomat e Specializuara të Kosovës dëshmon eksperti i kriminalistikës

21:19 | 3 Mars 2026
Q L

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka vazhduar gjykimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Hajredin Kuçit dhe Isni Kilajt, me dëshmitarin e dytë të prokurorisë, punonjës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës. Ai foli për disa dokumente të analizuara që janë përdorur si prova të prokurorisë në këtë rast gjyqësor.

Në vazhdën e gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për pengim të drejtësisë, të martën iu përgjigj pyetjeve dëshmitari i dytë i prokurorisë, eksperti i kriminalistikës nga Instituti i Kriminalistikës së Holandës.

Ai u pyet për analizimin e disa dokumenteve të printuara që u përdorën si prova nga prokuroria.

“A mund të na shpjegoni çfarë pune bën ky institut?”, pyeti Joshua Hafetz, prokuror.

“Instituti i kriminalistikës është një agjenci pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Sigurisë. Ne ekzaminojmë prova për gjykatësit dhe partnerët e drejtësisë penale, sipas rastit. Analiza e formave dhe e gjurmëve mund të jetë ndryshe nga ajo që mund të imagjinoni ju. Në thelb, ne bëjmë gjurmimin e materialeve dhe instrumenteve, ekzaminojmë objekte të ndryshme dhe gjurmët në to për të evidentuar se cila gjurmë lidhet me cilin dokument, qoftë nga gjurmët e lëna në printim, por edhe përmes analizës së vendngjarjeve”, theksoi Koen Herlaar, dëshmitar.

Pas prokurorisë, dëshmitari u mor në pyetje nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve lidhur me dokumentet e analizuara të marra nga të akuzuarit, ndërsa seanca në pjesën më të madhe të kohës ka qenë e mbyllur për publikun.

Seanca në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon të mërkurën./rtk

Të ngjashme