Kurti bën homazhe në Likoshan dhe Qirez në 28-vjetorin e masakrës

13:25 | 28 Shkurt 2026
E.K

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në Likoshan dhe Qirez, në përkujtim të 28-vjetorit të masakrës së parë të madhe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi se më 28 shkurt 1998, Likoshani dhe Qirezi u shndërruan në skenë të një prej ngjarjeve më të rënda të fillimit të luftës, duke theksuar se atë ditë u bë e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit të Kosovës ishte i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm.

Ai nënvizoi se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve, ndërsa theksoi se institucionet e drejtësisë kanë detyrimin për të sjellë drejtësi për viktimat.

“Më 28 shkurt 1998, Likoshani dhe Qirezi u shndërruan në skenë të masakrës së parë të madhe ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Atë ditë u bë e qartë se rrugëtimi çlirimtar i popullit tonë është i pashmangshëm dhe i pakthyeshëm. Sot përkujtojmë 20 civilët shqiptarë të vrarë dhe katër dëshmorët që ranë në Drenicë, në luftimet ndërmjet UÇK-së dhe forcave të armatosura të Serbisë. Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën e këtyre martirëve e dëshmorëve. Institucionet tona të drejtësisë e kanë për detyrë, ne si shtet e shoqëri e kemi obligim, për lirinë dhe paqen që sot e gëzojmë, sjelljen e drejtësisë.Sot, para kujtimit të fëmijës së palindur, e para varreve të martirëve, ne zotohemi se nuk do të harrojmë. Sot e përditë, me kujtimin e tyre në mendje, punojmë që Republika për të cilën ata u flijuan të jetë shtet i së drejtës dhe i barazisë”, shkroi Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme