Një valë e gjerë dhune ka përfshirë Meksikë pas vrasjes së baronit më të kërkuar të drogës në vend gjatë një operacioni sigurie me përfshirjen e inteligjencës amerikane.
Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, ishte udhëheqësi i kartelit Jalisco New Generation Cartel (CJNG). Ai humbi jetën pasi u plagos rëndë gjatë përleshjeve mes mbështetësve të tij dhe ushtrisë.
Sipas ministrisë meksikane të mbrojtjes, katër anëtarë të CJNG u vranë gjatë operacionit në qytetin Tapalpa, në shtetin qendror-perëndimor Jalisco, ndërsa tre ushtarë mbetën të plagosur.
Hakmarrja për vdekjen e tij çoi në përhapjen e dhunës në të paktën një duzinë shtetesh, me anëtarë të CJNG që bllokuan rrugët duke djegur automjete. Gjatë gjithë të dielës u raportua për persona të armatosur në rrugët e Jaliscos dhe zona të tjera.
Dëshmitarë okularë filmuan re të mëdha tymi që ngriheshin mbi disa qytete, përfshirë Guadalajara – një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës FIFA. Ndërkohë, qyteti turistik Puerto Vallarta u përshkrua nga turistët si një “zonë lufte”.
Guvernatori i Jaliscos, Pablo Lemus Navarro, shpalli kodin e kuq në shtet, duke pezulluar transportin publik dhe duke anuluar ngjarjet masive si dhe mësimin me pjesëmarrje fizike.
Rreth 250 postblloqe rrugore u ngritën në të gjithë vendin gjatë trazirave, 65 prej tyre në Jalisco. Në përditësimin e fundit, Kabineti i Sigurisë i Meksikës tha se vetëm katër postblloqe mbeteshin aktive në Jalisco.
Autoritetet njoftuan për 25 të arrestuar: 11 për përfshirje të dyshuar në akte dhune dhe 14 për plaçkitje e grabitje. Dyqane u përfshinë nga flakët dhe rreth 20 degë bankash u sulmuan gjatë trazirave.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se kishte “koordinim absolut” mes autoriteteve shtetërore dhe federale dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të informuar. Ajo shtoi se në shumicën e pjesëve të vendit aktivitetet vazhdojnë normalisht.
Disa linja ajrore, përfshirë Air Canada, United Airlines dhe American Airlines, kanë anuluar fluturimet drejt Jalisco.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre të qëndrojnë të strehuar në pesë shtete: Jalisco, Tamaulipas, zona të Michoacán, Guerrero dhe Nuevo León. Ndërsa qeveria ebritanike paralajmëroi për “incidente serioze sigurie” në Jalisco, duke kërkuar kujdes ekstrem dhe ndjekjen e udhëzimeve të autoriteteve lokale.
Sekretarja e Shtypit e SHBA-së, Karoline Leavitt, e përshkroi El Menchon si një “objektiv kryesor” për qeveritë e Meksikës dhe SHBA-së, duke e akuzuar si një nga trafikantët kryesorë të fentanilit. Sipas saj, tre anëtarë të kartelit u vranë, tre u plagosën dhe dy u arrestuan gjatë operacionit, për të cilin SHBA-të kishin ofruar informacione.
LDK hap sonte fushatën zgjedhore në Prishtinë
Lëvizja Vetëvendosje hap sot fushatën zgjedhore në Ferizaj
Albin Kurti sot mban tubim në Hajvali
Nis sot fushata për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit
Nga Ferizaj nis zyrtarisht fushata e PDK-së
Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla mbajnë sot konferencë për medi...