Inteligjenca artificiale dhe lajmet e rreme: Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kërkojnë më shumë edukim mediatik në shkollë.
Klasa duket në shikim të parë si çdo tjetër. Mes posterave me gjyra në mure dhe laptopëve, një grup nxënësisht janë përkulur mbi celularët e tyre. Ata janë duke mësuar se si mund të krijojnë animacione me inteligjencë artificiale për të qenë qenë në gjendje të dallojnë më vonë manipulimet e ndryshme. “Thjesht ngarkova një foto të një shoqeje dhe programi bëri pjesën tjetër”, tregon Ogneni, 18 vjeç, duke buzëqeshur. “Nuk zgjati as pesë minuta dhe papritur ajo nisi të kërcente në ekran dhe të bënte kollotumba.”
Ajo që për Ognenin dhe të rinjtë e tjerë ishte vetëm një eksperiment, tregon qartë sa e lehtë është sot të krijosh ose të manipulosh përmbajtje me inteligjencë artificiale. Njëkohësisht ai edhe 35 pjesëmarrësit e tjerë të projektit “Resiliencë kundër dezinformimit në Maqedoninë e Veriut”, i cili mbështetet nga qeveria e landit NRW, bëhen të vetëdijshëm se sa pak janë të përgatitur për zhvillime të tilla në shkollë dhe jetën e tyre të përditshme. “Përdorimi i Inteligjencës Artificiale dhe i rrjeteve sociale duhet patjetër të bëhet pjesë e planit mësimor”, thotë Ogneni. “Në internet dhe rrjetet sociale ka shumë rreziqe dhe ne shpesh nuk dimë si të përballemi me to.”
Shoqja e tij e klasës, Dea, tund kokën në shenjë miratimi. Telefonat inteligjentë, TikTok-u dhe chatbot-ët janë bërë pjesë e zakonshme e jetës sonë të përditshme, “por ne megjithatë ndihemi sikur na kanë hedhur direkt në ujë të ftohtë”, thotë ajo. “Shumë prej nesh nuk e dinë si krijohen dhe si mund t’i dallojnë lajmet e rreme, deepfake-t apo dezinformimin. Sigurisht, në këtë projekt kemi mësuar mjaft gjëra përmes ushtrimeve praktike, por në fakt edukimi mediatik duhet të jetë pjesë e rregullt e planit shkollor, njësoj si matematika apo gjuhët e huaja.”
Më shumë edukim mediatik në shkollë
Shumë të rinj në Shkup ndajnë të njëjtin mendim. Ata kërkojnë më shumë informim të strukturuar mbi inteligjencën artificiale, verifikimin e burimeve dhe dezinformimin. Sepse vërtet që organizohen projekte apo seminare, por një lëndë e detyrueshme për edukimin mediatik në shkollë mungon.
“Dezinformimi është një nga kërcënimet më të mëdha për demokracinë tonë, jo vetëm këtu në Maqedoninë e Veriut, por në të gjithë rajonin dhe botën”, thekson mësuesja Biljana Pejovska nga gjimnazi “Georgi Dimitrov”. “Prandaj të rinjtë duhet të kuptojnë si krijohen lajmet, si verifikohen burimet dhe pse disa përmbajtje manipulohen.” Shkolla e saj tashmë përpiqet t’i ndërgjegjësojë nxënësit përmes projekteve të para mediatike. “Por për të arritur ndryshime reale, nevojitet arsim sistematik, jo vetëm nisma të përkohshme.”
Mes mundësive dhe përgjegjësisë
Edhe ekspertët mendojnë se në këtë fushë ka nevojë urgjente për të ndërmarrë hapa konkretë. “Nëse duam të nxisim mendimin kritik në shkollë, duhet të fillojmë me edukimin mediatik herët, idealja do të ishte që në shkollën fillore”, thotë Aleksandar Manasiev nga organizata rajonale joqeveritare NarativAI në Shkup. “Inteligjenca artficiale mund të jetë një mjet i shkëlqyer, por vetëm nëse të rinjtë mësojnë ta përdorin në mënyrë të vetëdijshme, kreative dhe me përgjegjësi.”
Të gjithë pjesëmarrësit e projektit dëshirojnë një shkollë që u mëson të rinjve si të dallojnë të vërtetën nga manipulimi, në një botë ku edhe një fotografi nuk është më provë e sigurt e realitetit.
Dhe ndërsa Ogneni dhe Dea diskutojnë pas projektit për mësimet e ditës së nesërme në shkollë, mbetet e hapur pyetja se sa shpejt do të reagojë sistemi arsimor ndaj realitetit të sotëm digjital. Një gjë është e sigurt: bota e informacionit po ndryshon me shpejtësi. Dhe për t’u përballur me të, nuk mjaftojnë vetëm njohuritë teknike, por nevojiten edhe aftësitë për të dalluar të vërtetën nga manipulimi./dw
Incidenti i armatosur në rezidencën e Donald Trump, FBI merr...
Rama ndan fotoalbumin e javës
Arsenali ‘demolon’ Tottenhamin në derbin e Londrës së Veriut...
Londrim Mekaj arrin 100 mijë ndjekës në Instagram
Takimi me Kurtin për Presidentin, Hamza: Nuk mbështesim kand...
Çështja e Presidentit, Kurti nesër takohet me Abdixhikun