Kryeministri Edi Rama ka përshkruar vizitën e tij në Prishtinë si shumë të veçantë, duke ndodhur në vigjilje të Ditës Kombëtare të Pavarësisë së Kosovës dhe pas zhvillimeve të rëndësishme në vend.
Vizita u bë me ftesë të profesor Ahmed Shala, për promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, i cili trajton procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Gjatë qëndrimit të tij, Rama zhvilloi takime pozitive me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti, duke diskutuar harmonizimin e angazhimeve ndërkombëtare dhe rritjen e bashkëpunimeve kombëtare.
“Shumë e veçantë ka qenë vizita e kësaj here në Prishtinë, në vigjiljen e ditës kombëtare të pavarësisë së Kosovës, pas bombës së prokurorëve të Hagës mbi Kosovën, si edhe po ashtu pas votëbesimit të qeverisë së re të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sebepi i kësaj vizite ishte ftesa e një miku të kahershëm dhe burri fisnik nga prishtina profesor Ahmed Shalës, në promovimin e librit të tij “Kur heshtja flet”, një libër që duhet lexuar për të mësuar më shumë dhe kuptuar më thellë mbi procesin në Hagë kundër udhëheqjes së UÇK-së.
Por takimet me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti ishin tejet pozitive, qoftë për nga këndvështrimi i harmonizimit të angazhimeve ndërkombëtare me Vjosën, qoftë për nga këndvështrimi i rritjes së bashkëpunimeve kombëtare me Albinin”, theksoi Rama.
Kryeministri u shpreh se vizita përfundoi me bashkëbisedimin me studentët e Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët Rama i ftoi më pas në Tiranë për të vazhduar komunikimin.
Në vijim, Rama e përshkoi si emocionuese telefonatën e përvitshme nga Haga në 17 shkurt, gjatë së cilës dëgjoi zërin e Hashim Thaçi nga burgu.
“Qershia mbi tortë ishte bashkëbisedimi me studentët e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe me nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët i ftova me shumë kënaqësi në Tiranë për të vazhduar komunikimin tone të filluar më herët”, shprehet Rama.
Ndërsa të nesërmen, më 17 të shkurtit, telefonata e përvitshme e urimit të pavarësisë që marr nga Haga ishte posaçërisht emocionuese këtë herë, pas asaj çmendurie të prokurorisë speciale. Por zëri i Komandantit nga burgu i padrejtësisë ndërkombëtare ishte realisht, sinqerisht, më i qetë se asnjëherë. Në fillim e në fund të bisedës, Hashimi më përsëriti fjalinë: “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem, atë nuk ma merr dot kurrë, askush”, tha ai. /rtsh.al/
Kurti pret në takim Hamzën, flasin për çështjen e presidenti...
Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit për fajde
Kristjan Asllani asiston në ndeshje ndaj Goztepes
Qarkulloi rreth 2 milionë euro, arrestohet administratorja p...
Identifikohet burri që u vra pasi u përpoq të hynte në pronë...
Moti për pesë ditët e ardhshme: Kryesisht stabil dhe tempera...