Zyrtare: Bukayo Saka nënshkruan kontratë të re afatgjatë me Arsenalin

16:29 | 19 Shkurt 2026
D.H

Bukayo Saka ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me Arsenal, duke konfirmuar edhe një herë përkushtimin e tij ndaj klubit londinez.

Me kontratën e re ai do të jetë pjesë e Topçinjve deri në qershor të vitit 2030, dhe do të jetë lojtari më i paguar në histori të klubit, shkruan Arbresh.info.

24-vjeçari iu bashkua akademisë Hale End të Arsenalit në maj të vitit 2010, kur ishte vetëm tetë vjeç, dhe që nga ajo kohë është zhvilluar për t’u bërë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së parë. Aktualisht, ai është golashënuesi, asistuesi dhe lojtari me më shumë paraqitje në skuadrën aktuale, me 78 gola dhe afro 300 ndeshje në të gjitha garat.

Saka bëri debutimin me ekipin e parë në moshën 17-vjeçare, në nëntor të vitit 2018. Që atëherë, ai është shpallur dy herë radhazi Lojtari i Vitit te Arsenali (2021 dhe 2022), ndërsa në sezonin 2022/23 fitoi çmimin “PFA Young Player of the Year” dhe u përfshi në formacionin më të mirë të sezonit nga PFA. Gjithashtu, ai u shpall Lojtari i Vitit i kombëtares së Anglisë për sezonet 2021/22 dhe 2022/23.

Në nivel ndërkombëtar, Saka është pjesë e kombëtares së Anglia që nga tetori 2020, duke regjistruar 48 paraqitje. Ai ka përfaqësuar vendin në tri turne të mëdha, duke ndihmuar Anglinë të arrijë gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2022 dhe finalet e Euro 2020 dhe Euro 2024.

Edhe sezonin e kaluar, pavarësisht një mungese mbi tre muaj për shkak dëmtimi, Saka arriti të kontribuojë me 25 përfshirje në gola – 12 gola dhe 13 asistime në 37 paraqitje.

Sulmuesi anglez ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në disa raste dhe mbetet një nga liderët kryesorë të klubit, duke synuar të shtojë trofe të rinj pas triumfit në FA Cup në vitin 2020 dhe fitoreve në FA Community Shield në vitet 2020 dhe 2023.

Shpërndaje në rrjete sociale