Në 18-vjetorin e Pavarësisë, Haxhiu pret në takim nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, theksohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve

16:41 | 17 Shkurt 2026
E.H

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, priti sot në takim nënkryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, i cili po qëndron në Kosovë me rastin e shënimit të 18-vjetorit të pavarësisë.

Në takim i diskutua për marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve dhe për mundësitë e avancimit të mëtejmë të tyre, sidomos në rrafshin parlamentar.

Haxhiu e njohu Camajn me procesin e krijimit dhe konsolidimit të institucioneve të reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe me përkushtimin e tyre për forcimin e rendit demokratik, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social të vendit.

“Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, uroi kryetaren Haxhiu për përvjetorin e pavarësisë së Kosovë dhe po ashtu për detyrën e saj të re në krye të Kuvendit të Kosovës. Z. Camaj theksoi përkushtimin e shtetit malazez për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, në frymën e bashkëpunimit e të miqësisë, si dhe konfirmoi mbështjen për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në NATO”, thuhet në njoftim.

Kryetarja Haxhiu dhe nënkryetari Camaj diskutuan gjithashtu për mundësitë e avancimit të marrëdhënieve midis dy parlamenteve, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira legjislative, përfshirë këtu grupet e miqësisë, si një instrument i rëndësishëm i bashkëpunimit parlamentar./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme